mar82017
Hipotiroidizmi dhe shtatzënia: Risqet dhe përfitimet e trajtimit hormonal
Sipas një studimi retrospektiv të publikuar në British Medical Journal dhe të koordinuar nga Victor Montori nga departamenti i endokrinologjisë në "Mayo Clinic" në Rochester, Minesota, terapia e hipotiroidizmit subklinik në shtatzëni lidhet nga njëra anë me një risk më të ulët për abort dhe nga ana tjetër me një rritje të probabilitetit për komplikime të tjera. "Pavarësisht mungesës së studimeve shteruese mbi argumentin, udhëzuesit aktualë rekomandojnë trajtimin me levotiroksinë të grave shtatzëna me hipotiroidizëm subklinik", thonë kërkuesit që duke rishikuar të dhënat e një arkivi mjekësor të përmasave të mëdha kanë seleksionuar rreth 5.400 gra amerikane me hipotiroidizëm subklinik në shtatzëni, 16% e të cilave ka marrë terapinë me hormone tiroidene.
Prevalenca për abort spontan apo lindje të fetusit të vdekur rezultoi më pak e shpeshtë në grupin e trajtuar në krahasim me atë të pa trajtuar, me norma respektive prej 11% dhe 14%. "Një diferencë e tillë, statistikisht domethënëse, ka mbetur e dukshme edhe pas sqarimit të faktorëve ngatërrues", nënvizon autori, duke sinjalizuar që megjithatë pjesëmarrëset në terapi hormonale në krahasim me ato të pa trajtuara kishin mundësi më të mëdha për lindje të parakohshme (7.1% vs 5.2%), pre-eklampsi (5,5% vs. 3,9%) dhe diabet gjatë shtatzënisë (12,0% vs. 8,8%).
Ky është studimi i parë kombëtar që vlerëson efikasitetin dhe sigurinë e terapisë me hormonin tiroiden në shtatzënat me hipotiroidizëm subklinik që rezulton efikas në reduktimin e riskut për shtatzëni me përfundim jo të mirë", pohojnë kërkuesit, duke shpjeguar se megjithatë nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar nëse ekziston një mekanizëm shkakor pas kësaj lidhjeje. "Gjithashtu, rritja e riskut për evente të tjera anësore kërkon studime të fokusuara për të vlerësuar sigurinë e trajtimit me hormone tiroidene te shtatzënat", përfundon Montori duke shtuar se rezultatet e këtij studimi e lehtësojnë megjithatë takimin mes gruas shtatzënë dhe mjekut të saj para se të fillojë terapinë hormonale.