maj212018
Vaginoza bakteriale. Një studim italian qartëson shkaqet
Të dhënat e mbledhura nga 62 gra në moshë riprodhuese me shkallë të ndryshme disbioze dokumentojnë për herë të parë se identifikimi i një lloji të veçantë bakterial ose mikrobiote në vaginën e një gruaje nuk është i mjaftueshëm për të diagnostikuar apo përjashtuar një vaginozë. Ajo që ka më shumë rëndësi është aftësia e disa mikrobeve komensale normalisht rezidente në vaginë (për shembull, lactobacille të tilla si L. acidophilus, L. gasseri ose Gardnerella vaginalis) për të stimuluar prodhimin e molekulave inflamatore, duke shkaktuar inflamacion kronik, nganjëherë të heshtur, që nëse zgjat, hap rrugën për patologji obstetriko-gjinekologjike, edhe serioze.
Inflamacioni kronik i shkaktuar nga specie bakteriale që janë të pranishme normalisht në vaginë, mund të jetë shkak i vaginozave që prekin 20-30% të grave të moshës riprodhuese, sipas një studimi të publikuar në "Scientific Reports", koordinuar nga Manola Comar, drejtore e strukturës së mikrobiologjisë së avancuar në IRCCS Burlo Garofolo në Trieste.
"Tashmë është bërë i rëndësishëm jo vetëm studimi i mikrobiomës vaginale, por edhe karakterizimi i përbërjes së baktereve të pranishme në vaginë dhe individualizimi i raporteve mes popullatave bakteriale të pranishme dhe atyre të ardhura, gjë që na shtyn të riformulojnë parametrat kliniko-diagnostikues të disbiozave vaginale, mes të cilave vaginozat, dhe për të gjetur qasje të reja terapeutike", shpjegon Comar-i, i cili është gjithashtu profesor i mikrobiologjisë në Universitetin e Triestes.
Një vëzhgim i pabotuar që ka dalë nga studimi, ka të bëjë me lidhjen mes disa baktereve komensale dhe pranisë së interleukinave: te gratë me ekosistem të ndryshuar vaginal, dy prej tyre në veçanti, IL5 dhe IL13, shtohen kur ndryshon balanca mes laktobacileve Gardnerella dhe Mycoplasmas, që çojnë në fillimin e një gjendjeje inflamatore, intensiteti i së cilës është proporcional me ashpërsinë e pamjes klinike, por që mund të jetë i pranishëm edhe në mungesë të simptomave. Nëse kjo gjendje bëhet kronike, gruaja mund të bëhet më e prekshme ndaj infeksioneve, si dhe të përjetojë vështirësi në konceptimin dhe mbajtjen e shtatzënisë.
Pikërisht IL5 dhe IL13 mund të jenë shënjuesit e rinj të ndryshimit vaginal, të nevojshëm për një diagnozë të saktë edhe në mungesë të simptomave. "Përcaktimi me saktësi i profilit lokal imunitar dhe lidhja me përbërjen mikrobike dhe manifestimet klinike, do të përmirësojë diagnozën e vaginozës bakteriale dhe ngritjen e terapive të synuara edhe me bazë probiotikësh", përfundon Comar-i.
Sci Rep. 2018. doi: 10.1038/s41598-018-20649-x
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29396486