dhj132024
Preklampsia. Identifikohen bioshënjuesit e mundshëm për diagnostikimin e hershëm
Një studim i fundit i bazuar në analizën e tamponëve orale të marra nga gratë shtatzëna ka zbulluar një bioshënjues të mundshëm për preklampsinë, një nga ndërlikimet më serioze të shtatzënisë. Studiuesit thanë se ky zbulim mund të çojë në zhvillimin e një testi të thjeshtë për të identifikuar këtë gjendje që në fillimet e shtatzënisë.
Preklampsia është një gjendje që mund të shkaktojë lindje të parakohshme, edhe pse zakonisht nuk identifikohet deri në tremujorin e dytë të shtatzënisë, pasi shfaqen simptoma të tilla si presioni i lartë i gjakut jo normal. Ndonjëherë, kjo gjendje mund të mbetet e pazbuluar derisa të kthehet në emergjente. Në rastet e preklampsisë, nëna rrezikohet nga dëmtimi i organeve. Nuk ka trajtime përveç lindjes së foshnjës dhe nxjerrjes së placentës.
Udhëheqësi i studimit, Michael Skinner nga Universiteti Shtetëror i Uashingtonit tha për Reuters se "gjetja e një bioshënjuesi për preklampsinë do të lejonte adoptimin e strategjive klinike parandaluese që në tremujorin e parë dhe në fillim të tremujorit të dytë, duke vonuar potencialisht lindjet e parakohshme".
Studiuesit mblodhën qeliza nga goja e 49 grave që sapo kishin lindur. 13 prej tyre kishin pasur preklampsi dhe lindje të parakohshme. Ekipi më pas analizoi qelizat për të identifikuar ndryshimet në epigjenetikë, d.m.th., faktorët molekularë dhe proceset që përcaktojnë sjelljen e gjeneve. 13 gratë me preklampsi dhe lindje të parakohshme kishin 389 modifikime epigjenetike në rajonet e ADN-së që aktivizojnë ose shtypin gjene të ndryshme. Këto ndryshime nuk u gjetën te nënat pa preklampsi dhe kishin vetëm një mbivendosje prej 15% me epigjenetikën e nënave të tjera që kishin lindje të parakohshme pa preklampsi.
Studiuesit shpresojnë se kërkimet e mëtejshme do të konfirmojnë se identifikimi i këtyre ndryshimeve te gratë shtatzëna që në tremujorin e parë do të përmirësojë menaxhimin e atyre në rrezik për preklampsi dhe do të ndihmojë në vonimin ose parandalimin e lindjeve të parakohshme.