pri302019
Tumori i ovareve. Gratë kërkojnë mbështetje me fjalë dhe gjeste
#fjalëtqëdotëdoja (#leparolechevorrei), ka qenë një fushatë e kryer në Facebook nga Aleanca kundër Tumorit të Ovareve (ACTO), për të kuptuar se cilat janë fjalët më të përshtatshme që duhen përdorur për personat që vuajnë nga kjo neoplazi, e cila prek 50.000 femra në Itali. Rezultatet e fushatës u janë paraqitur në senat politikanëve, mjekëve, psikologëve dhe pacientëve.
"E ardhmja e femrave që janë prekur nga tumori i ovareve po përmirësohet, në kuptim të mbijetesës gjithnjë e më lartë dhe cilësisë në rritje të jetës. E kemi lançuar këtë fushatë që të nxitim të folurit për sëmundjen në mënyrë të ndryshme, duke shmangur fjalët që lidhen me ashpërsinë e sëmundjes dhe duke gjetur fjalë të reja dhe më pozitive, sepse ato i japin formë mendimit, ndryshojnë sjelljet dhe sipas përdorimit të tyre mund të jenë ose shigjeta, ose barka e duhur e shpëtimit", shpjegon Nicoletta Cerana, presidente e ACTO-së.
Fushata, e përbërë nga dy video, është parë rreth 100.000 herë dhe në komente shumë paciente kanë treguar se çfarë dëshironin të dëgjonin në situata të caktuara. Ndërmjet frazave, spikasin ato që shprehin nevojën për të ndier se po dëgjohen, se nuk janë vetëm, se do të mbështeten, si për shembull: "...do të kisha dashur që mjeku im të më thoshte se nuk duhej të ndihesha e vetmuar..." apo "mjaftonte që fëmijët e mi të më thoshin se më donin..." ose "...jam këtu për ty; më thuaj ç'mund të bëj për të të ndihmuar? Mos ki frikë të më kërkosh diçka, sepse nëse mundem, do ta bëj me kënaqësi."
Jo më pak të rëndësishme janë edhe gjestet, si përqafimet, buzëqeshjet, bisedat. "Qartësia është shumë e rëndësishme në mënyrë që pacientja ta përballojë sëmundjen dhe kurat e nevojshme me vetëdije dhe kurajë. Komunikimi është i vështirë sepse duhet të përshtatet me karakteristikat e çdo pacienteje", thotë Nicoletta Colombo (Instituti Evropian i Onkologjisë).
"Dijenia që kërkimi është shumë aktiv dhe që ka shumë barna të reja që po i afrohen skenarit terapeutik është një inkurajim shumë i madh dhe ky është një argument që unë e përdor shumë sepse është një ndihmë e madhe për pacienten. 5-6 vjet më parë nuk ishte kështu", përfundon Simone Pignata (Instituti i Tumoreve IRCCS-Fondacioni Pascale në Napoli).