tet152019
Vaksinat në shtatzëni. Shumë rekomandohen, por pak bëhen
Në kongresin e Shoqatës Evropiane të Mikrobiologjisë Klinike dhe Sëmundjeve Infektive (ESCMID) u nënvizua rëndësia e zhvillimit dhe përdorimit të vaksinave kundër Streptococcus B në shtatzëni. Në të njëjtën kohë, është diskutuar fakti që ende nuk është arritur mbulim i mjaftueshëm ndaj infeksioneve të caktuara, përkundër faktit se vaksinimet rekomandohen fuqishëm për nënat e ardhshme dhe shpesh, janë mjeti i vetëm për të mbrojtur fëmijën para dhe pas lindjes.
"Parandalimi i disa sëmundjeve të shkaktuara nga agjentët viralë ose bakterialë, kalon domosdoshmërisht përmes vaksinimeve, madje më shumë, në rastin e grave shtatzëna", tha Susanna Esposito (Universiteti i Parmës), koordinatore e Grupit të Studimit mbi Vaksinat në ESCMID. Për shembull, imunizimi i nënës është mënyra e vetme për të parandaluar sëmundjen nga virusi respirator sincicial për fëmijët në 6 muajt e parë të jetës, pasi, përveçse nuk janë barna efektive, antitrupi monoklonal i administruar në rast të rrezikut të lartë të infeksionit (fëmijë të parakohshëm dhe të porsalindur me sëmundje të rëndë kronike të zemrës ose mushkërive) ka një efikasitet prej 50%.
Një nga risitë e paraqitura në kongres ka të bëjë me vaksinën e gripit. Deri më sot, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja udhëzojnë administrimin e dozës së plotë të vaksinës së gripit edhe për fëmijët 6 muajsh, deri në 3 vjeç. Kjo vaksinë, pavarësisht se u rekomandohet grave shtatzëna në 90% të vendeve evropiane, në vitin 2014-2015, u regjistrua 50% mbulim vetëm në Angli dhe Uells, ndërsa gjetkë, gratë shtatzëna të vaksinuara ishin vetëm 10%. Në Shtetet e Bashkuara, ku vaksina është rekomanduar që nga viti 2004, vetëm 49.1% e grave e bënë atë para se të fillonte sezoni i gripit 2017-2018. Shifrat përmirësohen paksa në rastin e pertusisit (një sëmundje e rrezikshme sidomos në 2 muajt e parë të jetës): në vitin 2018, mbulimi ishte 54.4% në Shtetet e Bashkuara dhe 68.2% në Mbretërinë e Bashkuar.
Skenari në lidhje me Streptococcus B. është i ndryshëm. Vlerësohet se mbi 20 milionë gra shtatzëna janë bartëse të këtij bakteri, duke shkaktuar probleme serioze të fetusit, sepsis, pneumoni dhe meningjit te të porsalindurit. Me vaksinën, mund të shmangen mbi 100,000 aborte dhe vdekje të të porsalindurve në të gjithë botën, edhe sepse trajtimi i disponueshëm me antibiotikë nuk është gjithmonë efektiv. "Kërkimet shkencore vazhdojnë të bëjnë përparime të mëdha në fushën e sëmundjeve infektive, ku për fat të keq, nevoja klinike është ende e lartë", tha Esposito.