shk252022
Kanceri i vezoreve. Të rejat mbi patologjinë, parandalimin dhe trajtimin
Studiuesit në Qendrën Mjekësore Cedars-Sinai në Los Anxhelos kanë arritur të krijojnë një ind që simulon tubat e Fallopit dhe që mund të jetë i dobishëm për të parashikuar se cilat gra kanë rrezik të lartë për të zhvilluar kancer të vezoreve gjatë jetës së tyre. Për të zhvilluar këtë model, të quajtur organoid, ekipi përdori qeliza staminale pluripotente të induktuara (iPSC) të krijuara nga mostrat e gjakut të pacienteve me kancer të vezoreve dhe një mutacion në linjën germinale të gjenit të kancerit të gjirit (BRCA-1), i njohur për shtimin e rrezikut për zhvillimin e kancerit.
"Të dhënat tona mbështesin kërkimet e fundit që tregojnë se kanceri i vezoreve te këta pacientë, në të vërtetë fillon me lezione kanceroze në mbështjelljen e tubave fallopiane", tha Clive N. Svendsen, nënshkruesi i fundit i studimit, duke shtuar se nëse këto anomali mund të zbuloheshin në fillimin e tyre, do të ishte e mundur vendosja e tumorit "në qark të shkurtër". "Ky studim është një përdorim interesant i iPSC-ve, duke na sjellë më afër se kurrë me përmirësimin e dukshëm të rezultateve te gratë me këtë lloj të zakonshëm të kancerit të vezoreve", komentoi Jeffrey Golden, i papërfshirë në studim.
"Duke nisur nga këto rezultate, një ditë do të kemi mundësi ta zbulojmë herët kancerin e vezoreve te gratë që bartin mutacionin BRCA-1, të zbatojmë parandalimin efektiv dhe të personalizuar dhe, nëse është e nevojshme, strategjitë e trajtimit për të shpëtuar jetë", shtoi ai. Në veçanti, në studimin e publikuar në Cell Report, iPSC-të janë prodhuar jo vetëm nga paciente me kancer të vezoreve dhe mutacion BRCA-1, por edhe nga gratë e shëndetshme. Në të dyja rastet, qelizat më pas u diferencuan në organoide të tubave të Fallopit. Krahasimi i dy grupeve tregoi se, krahasuar me kontrollet, linjat me mutacionin BRCA-1 kishin anomali qelizore që ishin në përputhje me transformimin neoplazik. Studiuesit kryen lloje të ndryshme eksperimentesh, në disa raste, duke përdorur edhe minj laboratori. U vu re se, organoidet e krijuara nga gratë që kishin formën më agresive të kancerit, shfaqnin patologji më të rëndë. Sipas Svendsenit, këto organoide të tubit të Fallopit mund të përdoren edhe për të identifikuar barnat që janë efektive për atë individ specifik ose për të testuar barna të ndryshme, pa e ekspozuar pacienten ndaj tyre.
Cell Report 2021. Doi: 10.1016/j.celrep.2021.110146.
https://doi.org/10.1016/j.celrep.2021.110146