Gjinekologji

qer52024

Tumori i gjirit trefish negativ. Kombinimi i barnave, premtues

Një zbulim shkencor ka krijuar perspektiva të reja në trajtimin e tumoreve të gjirit trefish negativë, duke përdorur dobësitë e qelizave tumorale kundër vetë atyre. Studimi, i cili përbën një metodë të re trajtimi, është publikuar nga një grup studiuesish në revistën Clinical Cancer Research.

Tumori i gjirit trefish negativ, i cili përbën 15% të të gjitha rasteve të diagnostikuara, njihet për agresivitetin e tij dhe rezistencën ndaj kimioterapisë, duke shkaktuar mbijetesë të ulët dhe duke prekur më shpesh gratë nën 40 vjeç. Trajtimet tradicionale përfshijnë operacionin, kimioterapinë dhe radioterapinë, por ky lloj kanceri shpesh i shmanget barnave dhe mund të rishfaqet e të përhapet.

Studiuesit analizuan më shumë se 6000 kampione tumoresh të gjirit, me qëllim studimin e vetive të qelizave tumorale të lidhura me tumoret agresive dhe rezistente ndaj kimioterapisë. Duke studiuar biologjinë e kancerit, ata identifikuan shënjuesit EGFR në sipërfaqet e qelizave tumorale dhe praninë e molekulave onkogjene, të tilla si kinazat e varura nga ciklina (CDK), përgjegjëse për ndarjen dhe përhapjen qelizore.

Me anë të evidencave që konstatuan, ata krijuan një bar specifik për kancerin e gjirit, duke kombinuar cetuksimabin, antitrupin përzgjedhës i cili synon proteinën EGFR, me një bar inhibitor të CDK-ve. Ky kombinim antitrup-bar krijon mundësinë për administrimin e një doze më të ulët të inhibitorit, duke reduktuar kështu toksicitetin për pacientin.

Autorja kryesore e studimit, Sophia Karagiannis, deklaroi se: "Ne ishim në kërkim të pikës së dobët të kancerit dhe tashmë kemi zbuluar se si t'i orientojmë terapitë tona drejt njërës prej tyre. I kombinuam këto dy barna me qëllim krijimin e një bashkimi antitrup-bar specifik për pacientët me këtë lloj kanceri agresiv. Antitrupi e orienton barin toksik drejt qelizës kanceroze, duke krijuar mundësinë për një dozë më të ulët dhe për më pak efekte anësore".

Tumori i gjirit trefish negativ përbën një sëmundje heterogjene nga ana molekulare dhe klinike. Duke shfrytëzuar shprehjen e tepërt të EGFR-së dhe të molekulave të ciklit qelizor, të ndara në mënyrë të çrregullt në grupe të përzgjedhura pacientësh, kombinimi antitrup-bar (jo vetëm antitrup) mund të frenojë ndarjen e qelizave kanceroze dhe të gjenerojë funksione citotoksike specifike kundër qelizave tumorale.

"Ky studim, nuk ka përmirësuar vetëm njohuritë tona mbi vetitë e qelizave tumorale agresive, rezistente ndaj kimioterapisë, por na ka afruar edhe me zhvillimin e një terapie që  synon të shkatërrojë këto qeliza tumorale duke zvogëluar efektet anësore për pacientët. Edhe nëse nuk janë të nevojshme studime të mëtejshme përpara përdorimit të këtij trajtimi te njerëzit, ky është një hap i rëndësishëm në zhvillimin e terapive specifike kundër tumorit të gjirit trefish negativ dhe do të shohim se si rezultatet do të na krijojnë mënyra të reja efikase për përballimin e kësaj sëmundjeje shkatërruese", përfundojnë autorët.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>