kor182024
Depresioni rezistent ndaj trajtimit. Roli i ketaminës
Në një studim të publikuar në Molecular Psychiatry, duke marrë parasysh literaturën shkencore të disponueshme, studiuesit analizuan efektet antiinflamatore të ketaminës në sistemin nervor periferik dhe në atë qendror.
Pacientët, që nuk reaguan ndaj dy anidepresivëve në dozën e duhur, u përcaktuan si me depresion reszistent ndaj trajtimit (TRD). Te këta pacientë, administrimi akut i ketaminës ka përmirësuar nivelet e depresonit, duke përmirësuar edhe humorin e tyre.
Në krahasim me trajtimet konvencionale, ketamina ka treguar se ushtron efekte antidepresive brenda pak orësh, sidomos te pacientët rezistentë. Shumë pacientë me TRD kanë reaguar pozitivisht edhe ndaj një infuzioni të vetëm të ketaminës.
Mekanizmat në bazë të efekteve antidepresive të ketaminës lidhen me receptorin N-metil-D-aspartat (NMDA), me kanalin e opioideve, me receptorin α-amino-3-hidroksi-5-metil-4-isosasol-propionik (AMPA) dhe me synimin mekanik të rapamicinës (mTOR).
Evidencat eksperimentale in vivo kanë treguar edhe se ketamina ka një efekt inhibitor në aktivizimin mikroglial të nxitur nga lipopolisakaridet (LPS), duke përmirësuar edhe sjelljet depresive. Nga studimet mbi brejtësit, është evidentuar edhe se faktori i rritjes TGF-β, molekulë antiinflamatore që frenon aktivizimin e tepërt të mikrogliave, lidhet me efekte antidepresive diferenciale të enantiomereve të ketaminës.
Te modelet e miut u vërejt se (R)-ketamina (jo [S]-ketamina), zbut reduktimin e Tgfb1 dhe receptorëve të tij Tgfbr1 dhe Tgfbr2, të shkaktuar nga stresi.
Pacientët me MDD shfaqin nivele më të larta të faktorit stimulues të kolonive granulocite-makrofagë (GM-CSF). Administrimi i infuzioneve prej 0.5 mg/kg ketaminë për 12 ditë, solli përmirësim simptomatik të lidhur me një reduktim të dukshëm të GM-CSF.
Efektet antidepresive të ketaminës lidheshin edhe me sistemin e komplementit: proteinat e komplementit luajnë një rol thelbësor në rregullimin e shumimit, maturimit dhe reaktivitetit qelizor dhe aktivizimi i tyre shkakton çlirimin e molekulave të lidhura me përgjigjet inflamatore.
Nivelet e larta të përbërësve të komplementit C3a dhe C5a në gjak janë vërejtur në çrregullimin bipolar. Gjithashtu, u vërejt edhe një përqendrim i lartë i niveleve të C1q në gjak te pacientët me MDD.
Ky studim ka treguar lidhjen e mundshme që ekziston ndërmjet sistemit të komplementit dhe efekteve antidepresive të ketaminës. Megjithatë, nevojiten studime të mëtejshme për zgjerimin e njohurive dhe për përmirësimin e përdorimit të saj klinik te pacientët me depresion rezistent ndaj trajtimit.