pri32023
Kanceri i gjirit. Studimi analizon ndikimin e kontraceptivëve
Përdorimi i kontraceptivëve të kombinuar ose atyre me bazë progesteroni shoqërohet me një rritje relative prej 20-30% të rrezikut për kancer gjiri, pavarësisht mënyrës së administrimit, edhe për një periudhë pesë vjeçare përdorimi, incidenca absolute në 15 vjet rezultoi të ishte maksimumi 265 raste për 100,000 përdoruese, sipas një studimi të botuar në "PLOS Medicine".
"Përdorimi i kontraceptivëve oralë të kombinuar që përmbajnë estrogjen dhe progestogjen është shoqëruar më parë me një rritje të vogël të rrezikut për kancer gjiri, edhe pse për efektin e kontraceptivëve hormonalë që përmbajnë vetëm progestogjen të dhënat janë ende të kufizuara", tha autorja kryesore e studimit Kirstin Pirie nga Universiteti i Oxfordit në Mbretërinë e Bashkuar.
Studiuesit analizuan të dhënat e Clinical Practice Research Datalink (CPRD) për 9,498 gra nën 50 vjeç me kancer invaziv të gjirit të diagnostikuara në periudhën 1996-2017, si të dhënat e mbi 18,171 grave të shëndetshme të cilat morrën pjesë në grupin e kontrollit.
Mesatarisht, 44% e grave me kancer gjiri dhe 39% e atyre të grupit të kontrollit të krahasuara kishin marrë një recetë kontraceptive hormonale dhe rreth gjysma e recetave ishin për preparate vetëm me përmbajtje progestogjeni. Me pesë vjet përdorim të kontraceptivëve oralë vetëm me progestogjen ose të kombinuar, incidenca absolute 15-vjeçare e kancerit të gjirit u vlerësua të ishte 8 raste për 100,000 përdoruese të kontraceptivëve hormonalë në moshën 16-20 vjeç, dhe 265 raste për 100,000 përdoruese të moshës 35-39 vjeç.
Mundësitë për zhvillimin e kancerit të gjirit u rritën ndjeshëm dhe në mënyrë të ngjashme, pavarësisht nëse kontraceptivi i përdorur ishte një preparat oral i kombinuar (estrogjen plus progestogjen), një preparat oral vetëm me progestogjen, një progestogjen i injektuar ose një pajisje intrauterine që çliron progestogjen.
Autorët theksojnë se rreziku themelor i kancerit të gjirit rritet me rritjen e moshës, dhe për këtë arsye rreziku i tepërt absolut i lidhur me përdorimin e secilit lloj kontraceptiv oral do të jetë më i ulët te gratë që e përdorin atë në një moshë më të re, krahasuar me ato që i përdorin në moshë më të vjetër.
"Megjithatë, ky rrezik duhet të shihet në kontekstin e përfitimeve të përcaktuara të përdorimit të kontraceptivëve gjatë periudhës riprodhuese të grave", përfundojnë ekspertët.
PLOS Medicine2023. Doi: 10.1371/journal.pmed.1004188
http://doi.org/10.1371/journal.pmed.1004188