Mjekësi e përgjithshme

jan82018

Infertilitet? Shkak mund të jetë tiroidja me aktivitet të ulët

Sipas një studimi të publikuar në "Journal of Clinical Endocrinology & Metabolism", një reduktim i lehtë i aktivitetit të tiroides mund të ndikojë në fertilitetin femëror, edhe nëse gjendra vetë funksionon në kufijtë e normës.
"Meqenëse studimi ynë tregon se gratë me infertilitet të pashpjeguar, kanë nivele të TSH-së më të larta, në krahasim me bashkëmoshataret infertile për shkaqe të njohura, nevojiten kërkime të tjera për të përcaktuar nëse trajtimi i disfunksionit të lehtë tiroid mund të përmirësojë mundësitë për konceptim", e nis shkrimin e saj koordinatorja e studimit, Pouneh Fazeli, nga Spitali i Masaçusetsit.
"Infertiliteti i pashpjegueshëm godet 10-30 për qind të çifteve jopjellore dhe verifikohet kur një çift nuk e arrin dot konceptimin, pavarësisht muajsh të tërë tentativash, ndonëse nga ana mjekësore, nuk gjenden shkaqe të dukshme për këtë", shpjegojnë kërkuesit, që për ta thelluar argumentin, kanë analizuar të dhënat relative të grave 18-39 vjeçare të diagnostikuara si infertile pranë spitaleve të sistemit shëndetësor "Health Partners" në Boston, në periudhën 2000-2012.
«Kemi ekzaminuar nivelet e TSH-së të regjistruara si pjesë e vlerësimit të fertilitetit te 187 gra me infertilitet të pashpjegueshëm dhe te 52 bashkëmoshatare, partnerët e të cilave kishin një infertilitet të rëndë mashkullor", thotë autori.
Të dhënat e mbledhura tregojnë se gratë me infertilitet të pashpjegueshëm, i kishin nivelet e TSH-së dukshëm më të larta, krahasuar me ato që nuk kishin lindur për shkak të problemeve të partnerit. Për t'u shprehur në gjuhën e shifrave, thuajse dyfishi i pjesëmarrëseve me infertilitet të pashpjegueshëm kishin TSH më të madhe se 2,5 mlU/L, krahasuar me gratë që kishin partner infertil.
"Prania e një lidhjeje mes infertlitetit të pashpjegueshëm dhe niveleve të TSH-së në kufijtë mbi normën, na bën të mendojmë se vlerat e TSH-së edhe pak më të mëdha se normalja, mund të kenë një ndikim negativ mbi fertilitetin femëror", hamendëson Fazeli. "Këto rezultate mund t'u hapin rrugë terapive të reja për infertilitetin e pashpjeguar. Hapi i ardhshëm do të jetë verifikimi nëse reduktimi i niveleve të TSH-së do t'i ndihmojë këto gra të arrijnë konceptimin", përfundon autorja.


J Clin Endoc Met 2017. Doi: 10.1210/jc.2017-02120
https://academic.oup.com/jcem/advance-article/doi/10.1210/jc.2017-02120/4760413


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>