gus222015
Vaksina anti-fruth mbron edhe nga sëmundje të tjera vdekjeprurëse
Duke ndikuar në mënyrë kalimtare sistemin imunitar, mendohej se virusi i fruthit i ekspozon fëmijët ndaj sëmundjeve të tjera për një periudhë kohore prej gati një muaji ose dy. Një studim i ri i botuar në "Science" sugjeron se periudha e "letargjisë imunitare" e shkaktuar nga fruthi mund të jetë deri në tre vjet, duke ekspozuar kështu fëmijët edhe ndaj infeksioneve të tjera vdekjeprurëse. Artikulli me autor Michael Mina nga Departamenti i ekologjisë dhe biologjisë evolucionare të "Princeton University" në New Jersey jep provat epidemiologjike se fruthi mund ta çojë organizmin në një gjendje amnezie imunitare të zgjatur, duke shkatërruar një pjesë të madhe të qelizave përgjegjëse për memorien imunitare të cilat mbrojnë individin kundër infeksioneve. "Ky fenomen njihej, por tani dimë se amnezia zgjat më shumë nga sa mendohej, - thotë Mina. Më pas shton: "Thënë ndryshe, nëse sëmuresh me fruth, në tre vitet në vijim pas infeksionit, mund edhe të vdesësh nga diçka që nuk do të kishe vdekur nëse nuk do të ishe infektuar". Këto vëzhgime i hapin rrugën një aspekti shumë të rëndësishëm theksojnë autorët: vaksina anti-fruth jep përfitime të cilat shkojnë përtej mbrojtjes së thjeshtë ndaj agjentit përgjegjës për infeksionin. "Nga këto rezultate, të vaksinohesh kthehet në një nga ndërhyrjet më përfituese në terma të raportit kosto-efikasitet për shëndetin global, - shpjegon studiuesi i cili bashkë me kolegët ka analizuar të dhënat e një artikulli nga Rik de Swart i "Erasmus University Medical Center" në Holandë, i cili tregonte se si virusi sulmonte specifikisht limfocitet T të memories imunitare kundër sëmundjeve të tjera, duke krijuar një amnezi të vërtetë imunologjike. "Pas gati një muaji, numri i qelizave ripërtërihet, por në vend që të mbrojnë kundër infeksioneve të mëparshme, linfocitet T mbajnë mënd pothuajse vetëm virusin e fruthit", - thotë Mina, i cili bashkë me bashkautorët e tjerë ka përcaktuar kohëzgjatjen e imuno-amnezisë, duke zbuluar një lidhje midis infeksionit dhe vdekshmërisë nga sëmundje të tjera me një kohëzgjatje prej gati 28 muajsh. "Mesazhi është se vaksina, duke ulur rastet me fruth, duket se sjell edhe një ulje të vdekjeve nga sëmundje të tjera infektive falë efekteve indirekte mbi kujtesën imunitare", - përfundojnë autorët.
Science. 2015 May 8;348(6235):694-9. doi: 10.1126/science.aaa3662