News

qer252020

Covid-19. Vaksina tashmë në përdorim, mund të mbrojë nga pasojat më të rënda

Vaksina kundër fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR) mund të jetë e dobishme si masë parandaluese për të zbutur inflamacionin e lidhur me infeksionin Covid-19, sipas një artikulli të botuar në "mBio" nga Paul Fidel (Shkolla Shëndetësore e Stomatologjisë në Universitetin Shtetëror të Luizianës) dhe Mairi Noverr (Shkolla e Mjekësisë në Universitetin Tulane, Nju Orleans). Sipas ekspertëve, vaksinimi me MMR i subjekteve imunokompetente nuk ka kundërindikacione dhe mund të jetë veçanërisht i efektshëm për profesionistët e shëndetit, të cilët janë më të ekspozuar ndaj Covid-19.

"Vaksinat e zbutura të gjalla duket se sjellin disa përfitime jo specifike, përveç imunitetit ndaj patogjenit të synuar", thotë Fideli. "Do të ishte e dobishme të kryhej një studim klinik me MMR në popullata me rrezik të lartë, por ndërsa vazhdojmë studimet klinike, nuk mendoj se do t'i bënte keq askujt të vaksinohej me MMR-në e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola, me përfitimin e mundshëm si ndihmë kundër Covid-19", vazhdon ai.

Siç theksojnë ekspertët, gjithnjë e më shumë prova tregojnë se vaksinat e zbutura të gjalla shkaktojnë efekte jospecifike që çojnë në "imunitet të lindur të trajnuar", duke udhëzuar prekusorët e leukociteve në palcën e eshtrave të funksionojnë në mënyrë më efektive kundër dëmeve më të gjera infektive. Në veçanti, autorët arritën të krijonin në laborator një mbrojtje të lindur kundër sepsisit vdekjeprurës polimikrobik përmes vaksinimit me një shtam mykotik të gjallë, të zbutur.
Mbrojtja u ndërmjetësua nga qelizat supresore me prejardhje mieloide (MDSC), për të cilat është i njohur efekti frenues i inflamacionit septik dhe i vdekshmërisë në disa modele eksperimentale. Studiuesit thonë se vaksina MMR duhet të jetë në gjendje të shkaktojë MDSC-të, që nga ana e tyre mund të inhibojnë apo të reduktojnë inflamacionin e rëndë dhe sepsisin pulmonar të lidhur me Covid-19. Ndër ngjarjet e fundit që mbështesin këto hipoteza nuk mund të harrojmë rastin e simptomave të buta të vërejtura te 955 detarë të anijes "Uss Roosevelt" pozitivë për Covid-19, me vetëm një shtrim në spital. Kjo situatë mund të ketë qenë pasojë e faktit që të gjithë rekrutët e marinës amerikane ishin vaksinuar me MMR. Për më tepër, të dhënat epidemiologjike sugjerojnë një lidhje midis zonave gjeografike në të cilat njerëzit zakonisht bëjnë vaksina MMR dhe niveleve të ulëta të vdekshmërisë për Covid-19. Gjithashtu, sëmundja nuk ka pasur impakt te fëmijët dhe studiuesit hamendësojnë se një nga arsyet është pikërisht ekspozimi i tyre i freskët dhe më i shpeshtë ndaj vaksinave të gjalla të zbutura.

Autorët propozojnë një studim klinik për të provuar nëse vaksina MMR mund të mbrojë nga Covid-19, por ndërkohë sugjerojnë që të gjithë të rriturit, veçanërisht profesionistët e kujdesit shëndetësor dhe banorët e azileve, ta marrin vaksinën. "Ndonëse janë vaksinuar me MMR në fëmijëri, të rriturit me siguri kanë ende njëfarë niveli antitrupash kundër fruthit, shytave dhe rubeolës, por jo MDSC. Kështu, një ribërje e vaksinës, jo vetëm që do të rritë antitrupat kundër fruthit, shytave dhe rubeolës, por do të nxisë edhe MDSC-të, të cilat mund të zgjasin aq sa është e nevojshme për të kapërcyer momentin kritik të pandemisë", përfundojnë ekspertët.

 

mBio 2020. Doi: 10.1128/mBio.00907-20
https://mbio.asm.org/content/11/3/e00907-20.long


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>