gus282024
Shpallen fituesit në Universitetin e Mjekësisë
Rektori prof. dr. Xheladin Dracini: Janë përzgjedhur me mesatare mbi 9.7.
1624 maturantë do të ulen për herë të parë në auditorët e Universitetit të Mjekësisë për të studiuar në të gjitha degët e tij. Nga këta, 500 do të studiojnë në degën Mjekësi e Përgjithshme. Sipas rektorit të ri të këtij Universiteti, prof. Xheladin Dracini, tanimë janë shpallur edhe fituesit sipas degëve përkatës.
"Kanë qenë 7312 maturantë që kanë zgjedhur degët e mjekësisë me mbi 20 mijë aplikime në disa degë të saj, nga të cilët janë përzgjedhur 1624. Maturantët që kanë fituar në degët e universitetit të mjekësisë janë ata më rezultate shumë të mira me mesatare 9.7. Në mjekësi vijnë më të mirët. Këtë e konfirmon edhe testimi i informatizuar i cili bën një tjetër selektim", tha prof. Xheladin Dracini.
Maturantët fitues janë në pritje të nisjes së procesit të regjistrimeve i cili nis në 30 gusht dhe zgjat deri në 13 shtator.
"Më 28 është data e ankimimeve dhe më dt. 30 nis procesi i regjistrimeve me faza 48-orëshe", përfundoi ai.
Për studentët e Mjekësisë nuk do të ketë kontratë që i detyron të ofrojnë shërbim shëndetësor në vendin e tyre pasi ligji me ndryshimet e kërkuara nga Gjykata Kushtetuese, nuk ka kaluar për miratim në parlament.
Tabelë: Pranimet në Universitetin e Mjekësisë.
Dega Kuota pranimi Aplikime
Mjekësi e Përgjithshme 500 2034
Farmaci 110 2149
Shëndet Publik 30 530
Stomatologji 120 2448
Infermieri 380 2931
Fizioterapi 100 1915
Teknik Laboratori 100 2073
Teknik imazherike 110 2143
Mami 88 865
Logopedi 45 1164
Teknik dentar 35 1823
Higjenist dentar 70 799
Alma Demiraj