gus162024
OBSH: Patogjenet e reja që mund të shkaktojnë pandeminë e ardhshme
Organizata Botërore e Shëndetësisë përditësoi listën e patogjeneve që kanë më shumë rrezik për të shkaktuar një pandemi të re në të ardhmen, që nga ethet tropikale te lija e majmunit. Bëhet fjalë për 32 viruse dhe baktere. Këtyre u shtohet edhe një patogjen X, një agjent i panjohur, i cili, siç ndodhi në vitin 2019 me Sars-CoV-2, mund të zhvillohet e të përhapet në të gjithë botën. "Kur vjen puna te pandemia e ardhshme, historia na mëson se duhet diskutuar kur do të ndodhë dhe jo nëse do të ndodhë apo jo. Na mëson edhe rëndësinë e shkencës dhe vendosmërinë e politikës për zvogëlimin e ndikimit", pohoi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Objektivat
Dokumenti "Pathogens prioritization: a scientific framework for epidemic and pandemic research preparedness" u realizua pas rreth dy vitesh punë, nga një komitet i përbërë nga 200 shkencëtarë të caktuar nga OBSH-ja, të cilët kanë analizuar më shumë se 1600 patogjene për identifikimin e kërcënimeve më konkrete. Objektivi është përcaktimi i fushave në të cilat duhet përforcuar kërkimi dhe zhvilluar kundërmasa që krijojnë mundësinë e ndërhyrjes së shpejtë në rast se zhvillohet një pandemi e re. Krahasuar me versionin e mëparshëm, i cili përfshinte vetëm 9 patogjene, lista zgjatet shumë, qoftë për shkak të ndërgjegjësimit të shtuar me pandeminë e Covid-19, qoftë edhe për shkak të shfaqjes së fenomeneve të reja, si ndryshimet klimatike, të cilat mund të ndryshojnë sjelljen e viruseve të ndryshme.
Lista e përditësuar
Në listën e re përfshihen patogjene si vibrioni i kolerës, ose salmonela, bakteret me përqindje të larta të rezistencës ndaj antibiotikëve, si Klebsiella pneumoniae. Janë futur edhe sëmundje të transmetuara nga vektorë, si ethet tropikale dhe chikungunya, si dhe lija e majmunit. Rishfaqet edhe gripi i shpendëve: "Me rënien e imunitetit, ky virus mund të shkaktojë pandemi, nëse nuk mbahet nën kontroll", thuhet në një shënim. Normalisht, nën vëzhgim të veçantë janë shumë viruse të gripit dhe të gripit të shpendëve, por jo vetëm. Këtyre u shtohen edhe kërcënimet e përfshira në versionet e mëparshme të dokumentit: nga ebola te virusi Zika e deri te viruset që i përkasin familjes së Sars-CoV-2.