News

gus302024

Urdhri i Mjekut mbledh Asamblenë e Përgjithshme

Qëndrimi zyrtar: "Akti Normativ na shkel pavarësinë. Do ta çojmë në Gjykatë Kushtetuese!"

Kur për afro dy javë pritet të hyjë në fuqi akti normativ që kufizon punësimin e mjekëve në spitalet jo publike dhe ndryshimet që u bënë për Urdhrin e Mjekut, ky i fundit e kundërshton këtë akt dhe deklaron se do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

"Asambleja na autorizon që mosdakordësinë tonë ta çojmë në çdo instancë, deri në Gjykatën Kushtetuese. Njëzëri, kërkojmë nga gjitha organet ligjvënëse dhe ligjzbatuese (Kuvendi, Qeveria dhe Presidenti i Republikës) që të rishikohet ky Akt Normativ dhe përfaqësuesit tanë të jenë pjesë e konsultimeve për të bërë një ligj të ri për Urdhrin e Mjekëve të Shqipërisë në kuadrin e përshtatjes dhe përafrimit së legjislacionit tonë më atë të Bashkimit Evropian dhe gjithmonë me përvojën tonë 30-vjeçare dhe modelet e homologëve ndërkombëtarë, për të vazhduar si pjesë e denjë e organizmave të tyre.

Në rast se kjo nuk arrihet, Asambleja e Përgjithshme autorizon Këshillin Kombëtar dhe drejtuesit e tij ta dërgojnë këtë Akt Normativ në Gjykatën Kushtetuese", deklaroi presidenti i UMSH-së.

Urdhri i Mjekut mblodhi Asamblenë në një mbledhje të jashtëzakonshme për ta zyrtarizuar këtë qëndrim kundër aktit normativ, pasi sipas tyre u është hequr pavarësia.
 
"Ndryshimet ligjore dhe shtesat e bëra ( aktin normativ) e transformojnë tërësisht thelbin, tiparet, karakterin, rolin, misionin dhe funksionin tonë.

Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë, nga një ent publik jo buxhetor, i pavarur dhe profesional, i cili përfaqëson interesat e anëtarëve duke i harmonizuar ato në interes të publikut (siç përcaktohet qartë në Ligjin Nr. 123/2014 "Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë"), kthehet në një pjesë, departament apo shtojcë të Ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.

Për NE, pavarësia është tipari thelbësor, mbi të cilin bazohet veprimtaria jonë si trup i vetërregullimit dhe vetëqeverisjes së profesionit mjekësor. Kodi i Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore është dokumenti themelor ekskluziv i yni (hartohet dhe miratohet nga Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë). Ai përcakton, ruan, harmonizon dhe qartëson raportet midis Etikës, moralit dhe ligjit, pra del qartë, se nuk mund të korrigjohet nga Ministria përgjegjëse për shëndetësinë", thuhet në deklaratën zyrtare që u bë në përfundim të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të UMSH-së.

Urdhri i Mjekut mbështet çdo nismë për të hartuar një ligj të ri, duke e përafruar atë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, si dhe që përfaqësues të Urdhrit të jenë pjesë e konsultimeve.

Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>