News

gus162023

Ligji për studentët e Mjekësisë. Presidenti nuk e dekreton, por e kalon në heshtje, duke i hapur rrugë hyrjes në fuqi

Maturantët që kanë aplikuar për të studiuar në degën e Mjekësisë së Përgjithshme vijojnë testimin e informatizuar. Por, 400 maturantët që do të shpallen fitues do të duhet të lidhin më parë një kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë se pranojnë të ofrojnë shërbim shëndetësor për 5 vite në vendin e tyre pas përfundimit të studimeve e më pas të pajisen me diplomë. Ligji tashmë është zyrtarizuar, pasi ka kaluar në heshtje një ditë më parë nga Presidenti i Republikës dhe Kushtetuta e Republikës e njeh këtë praktikë. Ky ligj hyn në fuqi sapo të publikohet në Fletoren Zyrtare.

Studentët e mjekësisë protestuan para se ky ligj të votohej në parlament dhe shpresonin që ligji nuk do të dekretohej nga Presidenti, i cili do ta kthente për rishqyrtim. Por, Presidenti i Republikës i cili vjen nga fusha e mjekësisë ka zgjedhur të mos shprehet, pra, as e ka dekretuar, as nuk e ka kundërshtuar, duke e kaluar në heshtje dhe duke i hapur rrugë hyrjes së ligjit në fuqi.

Testimi i informatizuar i maturantëve që kanë aplikuar për Mjekësi mat njohuritë e maturantëve, nëse mesatarja e maturës shtetërore është reale, pasi tashmë dihet se nota 10 mund të merret më lehtë në shkolla larg Tiranës. Në vlerësimin e kandidatëve fitues, 70% e pikëve do të grumbullohen nga mestarja e maturës shtetërore dhe 30% e pikëve do të grumbullohen nga testimi i informatizuar.

Në radhët e kandidatëve që kandidojnë, jo të gjithë vërejnë anë negative te ky ligj. Ka nga ata që e konsiderojnë edhe si mundësi për të hyrë në sistemin publik shëndetësor, pasi kanë mësuar se do të ketë lehtësira.

Testimi i informatizuar do të zhvillohet deri në datën 23 gusht e më pas, nga 1813 aplikues, do të përzgjidhen 400 fitues.

 

Alma Demiraj

 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>