gus142023
Studentët e Mjekësisë. Nisi këtë të hënë testimi i informatizuar
1813 maturantë që kanë aplikuar në sistem dhe kanë zgjedhur si preferencë të studiojnë në degën Mjekësi e Përgjithshme i janë nënshtruar një testimi vlerësimi online. Përveç pikëve të grumbulluara nga mesatarja e maturës shtetërore që zënë 70% të vlerësimit, 30% të pikëve maturantët do t'i grumbullojnë nga testimi i informatizuar. Ky testim zhvillohet në ambientet e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Kjo e hënë ka shënuar ditën e parë të testimit, të cilin e kanë përfunduar 240 maturantë. Testimi është zhvilluar me grupe me nga 60 maturantë dhe ka zgjatur 60 minuta për secilin grup. Pyetjet kanë qenë me alternativa dhe maturantët kanë pasur mundësi që ta marrin rezultatin në kohë reale sapo kanë përfunduar testin. Testimi i informatizuar do të vazhdojë deri në datën 23 gusht. Nga 1813 maturantë që kanë aplikuar do të përzgjidhen rreth 400 studentë fitues. Ndërkohë, do të ketë kuota edhe për studentët nga diaspora dhe numri i përgjithshëm i studentëve që do të ndjekin vitin e parë në Mjekësi, do të jetë 464.
Për herë të parë, studentët që do të shpallen fitues për të ndjekur studimet në Mjekësi do të lidhin kontratë që pas përfundimit të studimeve të ofrojnë shërbim shëndetësor për 5 vite në vendin e tyre dhe vetëm atëherë do të pajisen me diplomën e universitetit.
Këtë vit u vu re një ulje e numrit të maturanëve që zgjodhën degën e Mjekësisë me gati 40% nga viti i kaluar, reduktim të cilin pedagogët e fakultetit e lidhën pikërisht me detyrimin e mjekëve të rinj për të kontribuar për 5 vite në vendin e tyre.
Alma Demiraj