gus212024
Lija e majmunit. Prof. Dr. Arjan Harxhi: Virusi ka pësuar mutacion këto dy vite. Transmetohet nga njeriu te njeriu
Lija e majmunit është shndërruar në emergjencë të shëndetit publik pasi virusi ka pësuar mutacion dhe nëntipi i ri ka shfaqur sëmundshmëri të lartë, tanimë jo vetëm në Afrikë. Mjeku infeksionist, prof. dr. Arjan Harxhi shpjegon se ky shtam duhet marrë në konsideratë.
"Lija e majmunit nuk është më sëmundje vetëm në Afrikë për shkak të kontakteve që kanë njerëzit me kafshët atje, por ka dalë përtej Afrikës dhe ky shtam i ri transmetohet nga njeriu te njeriu. Kjo është arsyeja pse OBSH-ja e ka shpallur emergjencë të shëndetit publik", u shpreh prof. dr. Harxhi.
Por, sa të rrezikuar jemi nga kjo sëmundje dhe si përhapet ajo?
"Kjo sëmundje përhapet nga kontaktet e ngushta, pra, vjen nga kontaktet seksuale në një bashkëjetesë, nëpërmjet sekrecioneve të një individi të infektuar, nga kontakti me sende të infektuara dhe më pak nëpërmjet spërklave, por nuk përhapet në ajër siç ishte rasti i Covid-19", shpjegon prof. dr. Harxhi.
Gjenerata e para viteve '80, ka njëfarë mbrojtjeje në vendin tonë pasi ka bërë vaksinën e lisë së dhenve. Pas këtyre viteve, sëmundja u zhduk dhe nuk bëhej më vaksinë. Te personat e pavaksinuar dhe me probleme të imunitetit, shtami i ri shfaq forma të rënda.
Cilat janë shenjat e para që shfaqen?
"Simptomat e para janë rashi në fytyrë, dhimbje trupi, muskujsh, deri flluska që zgjasin dy javë dhe që mund të mbeten shenja. Shkakton pneumoni."
OBSH e ka shpallur emergjencë dhe u ka rekomanduar qeverive të sigurojnë vaksina ndaj lisë së majmunit sidomos për personelin shëndetësor dhe grupet më të rrezikuara.
Alma Demiraj