gus142024
Universiteti i Mjekësisë. Nisi këtë të mërkurë testimi i informatizuar për mbi 2000 kandidatë
Zv. rektorja, prof. Alma Idrizi: testi përzgjedh më të mirët
Të mërkurën nisi testimi i informatizuar për mbi 2000 maturantë që kanë aplikuar për të studiuar në degën Mjekësisë së Përgjithshme, duke u paraqitur sipas kalendarit të përcaktuar deri në datën 23 gusht. Ky testim nxjerr në pah rezultatet dhe notat reale të maturantëve, duke përzgjedhur kështu maturantët më të mirë. Për vitin akademik 2024-2025 do të ketë afro 500 kuota pranimi për studentët që ulen për herë të parë në auditorët e mjekësisë. 70 prej tyre janë kuota të lira që i përkasin diasporës.
"Zhvillojmë për të dytin vit radhazi testin e informatizuar për ata që janë regjistruar dhe kanë aplikuar për të studiuar në degën Mjekësi e Përgjithshme. Ky test ka rezultuar efikas pasi ne bëmë edhe një test vitin e kaluar në mes të vitit akademik dhe studentët vërtet dolën me rezultate të mira. Testi i informatizuar përbën 30 % të pikëve dhe 70 % përbën matura shtetërore", u shpreh zv. rektorja e Universitetit të Mjekësisë, prof. dr. Alma Idrizi.
Një vit më parë studentët e Mjekësisë e nisën me protesta për shkak se para se të uleshin në auditorët e mjekësisë duhej të nënshkruanin kontratë se pas përfundimit të studimeve do të ofronin shërbim shëndetësor për 5 vite në vendin e tyre e më pas do të diplomoheshin.
"Ne do të aplikojmë kriteret e mëparshme. Studentët nuk kanë për të nënshkruar kontratë pasi ligji nuk kaloi për miratim pas ndryshimeve që kërkoi Gjykata Kushtetuese", siguroi zv. rektorja e Universitetit të Mjekësisë.
Alma Demiraj