Mjekësi e përgjithshme

tet312015

Pre-eklampsia lidhet me një frekuencë më të madhe të sëmundjeve të lindura të zemrës

Nga një analizë e publikuar në "Jama", e kryer me rreth dy milionë nëna dhe fëmijë, vërehet se pre-eklampsia është në mënyrë domethënëse e lidhur me prezencën e defekteve kardiake jo kritike te të vegjlit dhe se shfaqja e tyre para javës së 34-t lidhet me kardiopati të rënda edhe pse rreziku absolut mbetet i ulët. Defektet kardiake të lindura janë një nga shkaqet kryesore të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë foshnjore, pavarësisht progreseve domethënëse të terapive me shkaqe dhe faktorë të riskut që në pjesën më të madhe mbeten të panjohura. Për të thelluar argumentin Nathalie Auger nga Universiteti i Montrealit në Kanada dhe kolegët e saj, kanë zhvilluar analiza te të lindurit e gjallë ndërmjet viteve 1989 - 2012 në të gjithë provincën e Kebekut që do të thotë çereku i popullsisë së Kanadasë, duke përfshirë të gjitha gratë që kanë lindur në spital fetuse me apo pa defekte kardiake, me një total prej 1 942 072 të porsalindur. Kërkuesit më pas kanë ekzaminuar prezencën e çdo lloj defekti kardiak të lindur, kritik apo më pak të zbuluar te të porsalindurit që në lindje, duke i krahasuar me prevalencën sipas faktit nëse nënat kishin zhvilluar apo jo pre-eklampsi gjatë shtatzënisë. Të dhënat e mbledhura dëshmojnë se prevalenca e kardiopative të lindura është më e madhe ndër të lindurit nga nëna me pre-eklampsi krahasuar me ato pa shqetësime, me raport përkatësisht 16.7 dhe 8.6 për 1000 të lindur. "Risku është i lartë në mënyrë uniforme për të gjithë defektet që prekin strukturat e zemrës: aorta, arteria pulmonare, valvola, ventrikuli dhe septumi", saktëson kërkuesja, duke nënvijëzuar se kardiopatitë më të rënda ishin më të shpeshta te të lindurit nga shtatzëna me pre-eklampsi të hershme shfaqur përpara javës së 34-t. "Këto rezultate kontribuojnë në zgjerimin e njohurive mbi raportet midis pre-eklampsisë dhe defekteve kardiake të lindura", shkruajnë autorët, duke i ftuar mjekët që të konsiderojnë mundësinë se prezenca e sëmundjes sidomos në fazat fillestare të shtatzënisë mund të rrisë riskun për kardiopati të lindura fetale. "Nevojiten gjithashtu studime të mëtejshme për të konfirmuar këto të dhëna përpara se të ndërmerren modifikime në praktikat e zakonshme klinike", përfundon Auger.

Jama. 2015. doi:10.1001/jama.2015.12505
http://jama.jamanetwork.com/article.aspx?doi=10.1001/jama.2015.12505

Përktheu: Erjola Taga


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>