shk272024
Dekompensimi kardiak. 3.000 hapa në ditë mund të ulin rrezikun te gratë e moshuara
Sipas një studimi të publikuar në JAMA Cardiology, shtimi i aktivitetit fizik të përditshëm lidhet me një rrezik më të ulët për pamjaftueshmëri kardiake dhe në veçanti për dekompensim kardiak me fraksion ejeksioni të ruajtur, te gratë e moshuara. "Bëhet fjalë për një zbulim unik në fushën e tij, sepse ka shumë pak të dhëna të publikuara mbi aktivitetin fizik dhe dekompensimin me fraksion ejeksioni të ruajtur", pohon autori kryesor i studimit, Michael LaMonte. Studiuesit vlerësuan ndikimin e aktivitetit fizik dhe kohës sedentare në rrezikun për dekompensim kardiak te gratë 63-99-vjeçare.
Në studim u morën 5.951 gra (të moshës mesatare 79 vjeçe; 34% e tyre me ngjyrë) pa dekompensim kardiak të konstatuar në matjet fillestare, që kanë mbajtur për shtatë ditë rresht një matës nxitimi në këllk. Gjatë një ndjekjeje mesatare prej 7.5 vjetësh, studiuesit vëzhguan 407 raste pamjaftueshmërie kardiake incidente, nga të cilat 257 u identifikuan si dekompensim me fraksion ejeksioni të ruajtur (HFpEF) dhe 110 si dekompensim me fraksion ejeksioni të reduktuar (FRrEF). Rreziku për të zhvilluar pamjaftueshmëri kardiake ishte, mesatarisht, më pas se 12% për çdo 70 minuta aktiviteti të lehtë fizik në ditë dhe më pak se 16% për çdo 30 minuta aktiviteti fizik mesatar-i fuqishëm në ditë. Nga ana tjetër, çdo orë e gjysmë e kaluar në formë sedentare, lidhej mesatarisht me më shumë se 17% rrezik për t'u prekur nga sëmundja.
Ekspertët thonë se kryerja e 3.000 hapave çdo ditë mund të jetë një objektiv i arsyeshëm dhe në përputhje me sasinë e aktivitetit ditor të kryer nga gratë në studim.
"HFpEF është forma më e zakonshme e pamjaftueshmërisë kardiake, që gjendet te gratë e moshuara dhe te grupet e pakicave racore dhe etnike dhe aktualisht ka pak opsione terapeutike të përcaktuara për trajtimin e saj, duke e bërë parandalimin primar edhe më të rëndësishëm. Potenciali për aktivitete me intensitet të ulët për të kontribuar në parandalimin e këtij problemi është një rezultat emocionues dhe premtues dhe do të duhet të vlerësohet edhe në grupe të tjera, siç janë meshkujt e moshuar", përfundojnë autorët.
JAMA Cardiology 2024. Doi: 10.1001/jamacardio.2023.5692
http://doi.org/10.1001/jamacardio.2023.5692