pri132017
Fushat elektromagnetike mund të ndryshojnë funksionin e pejsmejkerit
Fushat elektromagnetike të gjeneruara nga pajisjet elektroshtëpiake mund të ndërhyjnë me aftësinë e pejsmejkerit për të rregulluar ritmin kardiak, sipas një kërkimi të sapo publikuar në revistën "Circulation", me bashkautor Andreas Napp, kardiolog pranë spitalit universitar Aachen, në Gjermani. "Ndonëse gjatë aktivitetit të përditshëm mund të verifikohen interferenca elektromagnetike me pejsmejkerin, por ato që mund të jenë të dëmshme për një dispozitiv të vendosur në mënyrë korrekte janë të rralla", shkruajnë autorët, duke shpjeguar se në fazat e programimit, mjeku mund të zvogëlojë sensibilitetin e pejsmejkerit, pikërisht për të reduktuar ndjeshmërinë ndaj fushave elektromagnetike. Për të thelluar argumentin, autorët kanë testuar në kushte të ndryshme efektet e ekspozimit ndaj fushave elektromagnetike në 119 pacientë me pejsmejker të ekspozuar fillimisht ndaj fushave me frekuenca normale të rrjetit elektrik (50 ose 60Hz) dhe të intensifikuara në vazhdimësi derisa u vunë re tregues të keqfunksionimit.
"Duke vepruar në këtë mënyrë, kemi gjetur se pejsmejkerat janë të ndjeshëm ndaj fushave elektromagnetike të pranishme në jetën e përditshme, veçanërisht nëse programohen në konfigurim unipolar dhe sensibilitet të lartë", pohon kërkuesi, duke dhënë disa shembuj të burimeve të fushave elektromagnetike si: pajisjet elektroshtëpiake, instrumentet elektrike dhe elektronike të argëtimit etj.
"Në përgjithësi, mbajtja e fushave elektromagnetik të paktën 30 cm larg pejsmejkerit kufizon riskun për interferenca elektromagnetike, edhe pse mund të duhen distanca më të mëdha në prani të fushave të forta elektromagnetike, si p.sh. motorët e përdorur në sektorin e prodhimit industrial", thotë Napp, duke shtuar se interferenca elektromagnetike mund të shkaktojë bradikardi. "Në ambientin e punës veçanërisht në industrinë e prodhimit, një vlerësim i riskut për punëtorët me pejsmejker është i nevojshme", përfundojnë kërkuesit.
Circulation. 2017. doi: 10.1161/CIRCULATIONAHA.116.024558 https://dx.doi.org/10.1161/CIRCULATIONAHA.116.024558