dhj272017
Bakteret e lidhura me patologjitë periodontale, shtojnë riskun për kancer të ezofagut
Sipas një studimi të publikuar në "Cancer Research", disa lloje bakteresh që lidhen me patologjinë periodontale, mund të paraqesin një risk më të lartë për kancer të ezofagut. "Kanceri i ezofagut është një patologji me vdekshmëri të lartë dhe ka nevojë për rrugë të reja parandalimi, kategorizim të riskut dhe diagnozë të hershme. Kërkimet kanë dëshmuar se sëmundja periodontale e shkaktuar nga disa patogjene orale është e lidhur me lloje të ndryshme të kancerit, duke përfshirë tumoret e zgavrës së gojës, të kokës dhe të qafës. Jemi përpjekur të analizojmë nëse mikrobioma orale lidhet me riskun për adenokarcinomë të ezofagut (EAC) ose për karcinomë me qeliza skuamoze ezofageale (ESCC)", shpjegon Jiyoung Ahn-i, pranë NYU Langone Health në Nju Jork, që ka drejtuar grupin e studimit.
Kërkuesit kanë mbledhur kampione nga larja orale e 122.000 pjesëmarrësve në dy studime të mëdha dhe në 10 vite ndjekje vëzhguese, 106 pjesëmarrës kanë zhvilluar kancer ezofageal. Në një studim perspektiv rast-kontroll, kërkuesit kanë ekstraktuar dhe segmentuar ADN-në nga kampionet e lavazhit oral për të ballafaquar mikrobiomat orale të individëve me kancer ezofageal dhe ato të individëve pa kancer. Disa lloje bakteresh ishin të lidhura me një risk më të lartë për kancer ezofageal. Për shembull, Tannerella forsythia ishte e lidhur me 21% rritje të riskut për adenokarcinomë ezofageale, ndërsa Pophyromonas gingivalis, ishte e lidhur me një risk më të lartë të karcinomës me qeliza skuamoze ezofageale. Përkundrazi, disa lloje bakteresh orale si Neisseria ishin të lidhura me një risk më të vogël për kancer të ezofagut.
"Studimi ynë tregon se të mësosh më shumë rreth rolit të mikrobiomës orale mund të çojë potencialisht në strategji që parandalojnë kancerin e ezofagut ose të paktën e identifikojnë atë në fazat e hershme. Hapi i radhës është të verifikohet nëse këto baktere mund të përdoren si bioshënjues parashikues", shprehet Ahni. Autorët nënvizojnë se studimi konfirmon rëndësinë e një shëndeti të mirë oral për t'u mbrojtur nga sëmundja periodontale dhe nga lista në rritje e patologjive që lidhen me to. Limiti kryesor i studimit ka të bëjë me mungesën e informacioneve të plota mbi shëndetin oral të pjesëmarrësve, sepse nuk ka qenë e mundur të kuptohej nëse do të mjaftonte prania e patogjeneve për të ndikuar në riskun e kancerit ose nëse faktori i riskut ishte shfaqja e sëmundjes periodontale.
Cancer Research 2017. doi: 10.1158/0008-5472.CAN-17-1296
http://cancerres.aacrjournals.org/content/77/23/6777