tet72024
Të mbijetuarit nga kanceri dhe rreziku kardiovaskular
Një studim i botuar në revistën Cancer ka analizuar rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare (CVD) te të moshuarit që janë duke ndjekur një trajtim onkologjik. Edhe pse përparimet në trajtimin e kancerit kanë përmirësuar mbijetesën, të mbijetuarit e tij janë në rrezik më të madh për të zhvilluar sëmundje të tilla si CVD-të krahasuar me popullatën e përgjithshme.
Të dhënat për këtë hulumtim janë marrë nga studimi ASPREE (Aspirin in Reducing Events in the Elderly), i kryer në 15,454 pacientë australianë dhe amerikanë me moshë mesatare 74 vjeç. Mostra përfshinte kryesisht pacientë me kancer të prostatës (26%) dhe kancer kolorektal (14%), të ndjekur nga ata me kancer të gjirit, gjakut, mushkërive dhe melanomës (8% secili). Nga pjesëmarrësit, 80% morën trajtim për kancerin, 55% iu nënshtruan operacionit, 45% kimioterapisë dhe 29% radioterapisë.
Gjatë studimit, 1,392 pacientë u diagnostikuan me kancer. Krahasuar me pacientët pa kancer, ata me kancer kishin dy herë më shumë gjasa të zhvillonin CVD, me 10.3 ngjarje për 1000 vite/njerëz në mesin e atyre pa kancer dhe 20.8 në mesin e atyre me kancer.
Incidencat e infarktit të miokardit, insuficiencës kardiake dhe iktusit ishin më të larta në grupin onkologjik, pavarësisht faktorëve klinik të rrezikut kardiovaskular. Ky rrezik rezultoi të ishte veçanërisht i lartë te pacientët me kancer metastatik, të cilët kishin një incidencë pesë herë më të lartë se ata pa metastaza, për rritjen e këtij rreziku, rol të rëndësishëm kanë luajtur terapitë intensive me barna kardiotoksike dhe ashpërsia e fazës së avancuar të tumorit kanë kontribuar në këtë rritje të rrezikut.
Midis llojeve të ndryshme të kancerit, kanceri hematologjik dhe ai i mushkërive treguan një rrezik respektivisht pesë dhe trefish më të lartë të zhvillimit të CVD-ve. Te pacientët me kancer të mushkërive, të cilët shpesh janë duhanpirës, ky rrezik rezultoi të ishte edhe më i lartë.
Meshkujt dhe pacientët mbi 75 vjeç kishin një rrezik më të lartë për të zhvilluar evente kardiovaskulare, në të dy grupet (onkologjike dhe joonkologjike). Kimioterapia është shoqëruar me një rrezik të dyfishtë të zhvillimit të CVD, ndoshta për shkak të kardiotoksicitetit të barnave që u jepen pacientëve në gjendje më të mirë fizike.
Në anën tjetër, pacientët që iu nënshtruan ndërhyrjes kirurgjikale një rrezik më të reduktuar për CVD, ndoshta sepse ishin më të shëndetshëm në momentin e ndërhyrjes dhe falë eliminimit të shpejtë të faktorëve tumoralë.
Megjithatë, radioterapia u shoqërua me një rritje të ngjarjeve kardiotoksike.
Përdorimi i aspirinës nuk tregoi asnjë përfitim në uljen e rrezikut kardiovaskular, me norma të ngjashme të incidencës midis grupeve të aspirinës dhe placebos.
Ky studim konfirmoi se pacientët e moshuar me diagnozë të kancerit kanë një rrezik të lartë për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare. Rreziku më i lartë u vu re te pacientët me kancer metastatik, hematologjik dhe të mushkërive, si dhe tek ata që merrnin kimioterapi.
Këto gjetje theksojnë rëndësinë e strategjive adekuate të shqyrtimit dhe menaxhimit për të reduktuar rrezikun kardiovaskular te të mbijetuarit e kancerit, duke nxitur kërkime të mëtejshme për të ndihmuar në zhvillimin e ndërhyrjeve të synuara për të zbutur rrezikun për CVD te pacientët onkologjikë.