maj112023
Sëmundjet kardiovaskulare. Një nga pesë pacientë të rrezikuar refuzojnë statinat
Sipas një studimi të publikuar në JAMA Network Open, më shumë se 20% e pacientëve me rrezik të lartë për sëmundje kardiovaskulare refuzojnë ti marrin statinat e përshkruara nga mjekët.
"Studimi ynë ka nxjerrë në pah një numër alarmues pacientësh që i refuzojnë statinat dhe na tregon se mjekët duhet të diskutojnë arsyen e kësaj situate me pacientët. Ne duhet të kuptojmë më mirë se cilat janë preferencat e tyre dhe të jemi në gjendje të ofrojmë kujdes më të përqendruar te këta pacientë", thotë Alex Turchin nga Shkolla Mjekësore e Harvardit në Boston, autori kryesor i studimit.
Pasi vunë re se shumë nga pacientët e tyre me kolesterol të lartë, përfshirë edhe disa me diabet, zgjodhën të mos merrnin medikamente të sigurta dhe të dobishme si statinat për të zvogëluar rrezikun për infarkt dhe iktus, Turchin dhe ekipi i tij vazhduan ta hetonin më tej këtë fenomen.
Për këtë arsye, studimi u fokusua në më shumë se 24,000 pacientë me rrezik të lartë që vuanin nga sëmundjet koronare ose vaskulare, diabeti, kolesteroli shumë i lartë ose kishin pësuar iktus. Të gjithë pjesëmarrësve iu rekomanduan statinat për të reduktuar rrezikun për infarkt, iktus dhe gjithashtu për të ulur nivelet e kolesterolit.
Studiuesit zbuluan se ndërsa rreth dy të tretat e pacientëve të cilëve iu rekomandua terapia me statina e nisën atë menjëherë ose pas një periudhe të shkurtër refuzimi, rreth një e treta e tyre nuk e nisën kurrë.
Studimi zbuloi gjithashtu se u desh tre herë më shumë kohë për të reduktuar nivelet e kolesterolit LDL në nivele nën 100 mg/dL te pacientët që fillimisht i refuzuan statinat, krahasuar me ata që i morën ato menjëherë.
Befasia më e madhe e studimit, ishte se shkalla e refuzimit ishte shumë më e lartë te gratë sesa te burrat.
Autorët spekulojnë se kjo mund të jetë së paku pjesërisht për shkak të besimit të rremë se sëmundjet kardiovaskulare kanë një ndikim më të madh te burrat.
"Unë mendoj ndryshimi që ka bërë mjekësia moderne për kohëzgjatjen dhe cilësinë e jetës është i nënvlerësuar dhe rolin që barnat si statinat mund të luajnë në të gjitha këto ndryshime", përfundon Turchin.
JAMA Network Open 2023. Doi: 10.1001/jamanetworkopen.2023.1047
http://doi.org/10.1001/jamanetworkopen.2023.1047