Mjekësi e përgjithshme

jan52018

Trafiku redukton efektet pozitive të lëvizjes fizike te të moshuarit

Edhe një ekspozim i shkurtër ndaj grimcave ndotëse që vijnë kryesisht nga automjetet me naftë në një rrugë me trafik, është i mjaftueshëm për të neutralizuar efektet pozitive që ka lëvizja, mbi zemrën dhe mushkëritë, te personat mbi gjashtëdhjetë vjeç. Këtë e thotë një studim i publikuar te "Lancet".
"Ne këshillojmë që, kur është e mundur, të moshuarit të ecin nëpër parqe apo në të tjera hapësira të gjelbra, larg rrugëve me trafik", thotë autori kryesor i studimit, Kian Fan Chung, nga Kolegji Mbretëror i Londrës. Kërkuesit kanë marrë në studim 119 të moshuar, ndër të cilët, 40 ishin vullnetarë të shëndetshëm, 40 të sëmurë me bronkopneumopati kronike obstruktive (BPCO) të qëndrueshme dhe 39, me kardiopati ishemike të qëndrueshme. Ata janë përzgjedhur në mënyrë rastësore dhe janë vënë për të ecur për dy orë në rrugën Oksford në Londër, ose në një zonë pa trafik në Parkun Hajd, gjithmonë në Londër. Nga tre deri në tetë javë më vonë, pjesëmarrësit që nuk pinin duhan prej 12 muajsh dhe që i merrnin rregullisht barnat e tyre, janë ndërruar dhe kanë bërë një tjetër lloj shëtitjeje. Në çdo rast, janë matur nivelet e ndotësve atmosferikë dhe funksioni i mushkërive, ashtu si edhe përgjigjja kardiovaskulare.
Te pjesëmarrësit e shëndetshëm, ecja në Parkun Hajd ka sjellë një përmirësim të kapacitetit të mushkërive me një shtim mesatar të FEV1 dhe të ngurtësisë arteriale prej 7,5%, për një kohë maksimale prej 26 orësh. Përkundrazi, ecja në rrugën Oksford ka sjellë vetëm një shtim kalimtar të kapacitetit të mushkërive dhe një përkeqësim thelbësor të ngurtësisë arteriale. Efektet e dëmshme të ndotjes mbi shëndetin kanë qenë veçanërisht të dukshme te pjesëmarrësit me BPCO, të cilët kanë patur një përkeqëssim të simptomave. Analizat e fundit kanë zbuluar se nivelet e  ndotjes kanë sjellë një përkeqësim të ngurtësisë në arteriet e pjesëmarrësve me kardiopati ishemike që nuk përdornin barna kardiovaskulare, por ka patur pak ndikim mbi ata që merrnin, duke treguar një rol mbrojtës të këtyre barnave.
"Ndonëse do të jenë të nevojshme studime të reja mbi efektet në shëndetin e të gjithë individëve dhe në burimin e ndotjes, rezultatet e këtij studimi dhe të studimeve të tjera urbane të kohëve të fundit, tregojnë se duhet punuar për të reduktuar ekspozimin e publikut ndaj ndotjes nga nafta dhe të përcaktojnë një tjetër prioritet në kontrollin ndaj ndotjes", konfirmojnë George Thurston dhe Jonathan Newman nga Universiteti i Nju Jorkut, në editorialin e tyre.

Lancet 2017. Doi: 10.1016/S0140-6736(17)32643-0 http://www.thelancet.com/journals/lancet/article/PIIS0140-6736(17)32643-0/fulltext

Lancet 2017. Doi: 10.1016/S0140-6736(17)33078-7
http://www.thelancet.com/journals/lancet/article/PIIS0140-6736(17)33078-7/fulltext


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>