qer192018
Refluksi gastroezofageal. Kur quhet sëmundje dhe kur zgjidhje është kirurgjia?
Në rastin e sëmundjes së refluksit gastroezofageal refraktar ndaj frenuesve të pompës protonike (IPP), nëse përjashtohen me kujdes patologjitë e tjera që mund të shkaktojnë djegie stomaku, zgjidhje edhe më e mirë se trajtimi i vazhdueshëm me barna, do të ishte kirurgjia fundoplikatio. Kjo është ajo çka sugjeron Stuart Spechler (Universiteti Baylor i Dallasit), duke paraqitur rezultatet e grupit të punës në Javën e Sëmundjeve të Aparatit Tretës, 2018.
"Fundoplikatio dukej sikur ishte harruar nga gastroenterologët, më së shumti sepse, duke u përdorur në mënyrë të papërshtatshme, kishte patur efekte të ndryshme të padëshiruara. Por, gastroenterologët duhet të kuptojnë se në sëmundjen e refluksit, ka hapësirë edhe për trajtimin invaziv", konfirmojnë autorët.
Kërkuesit kanë rekrutuar 366 pacientë me pirozë refraktare, që ndiqnin një terapi mjekësore në 10 qendra të Administratës së Veteranëve në SHBA. Kontrolli rigoroz ka përcaktuar se në plot 288 raste, djegia e stomakut kishte një shkak të patrajtueshëm me frenuesit e pompës protonike, si: ezofagiti eozinofil, akalazia, problemet kardiake ose sëmundjet e rrugëve biliare dhe kështu, kanë mundur të bëjnë pjesë të studimit vetëm 78 pacientë. Nga këta, 27 i janë nënshtruar laparoskopisë fundoplikatio sipas Nissen-it, 25 kanë marrë trajtim mjekësor aktiv me 20 mg omeprazol dy herë në ditë dhe deri në 20 mg baclofen tre herë në ditë ose deri në 100 mg desipramine në momentin e gjumit. 26 vetë kanë marrë placebo. Sukses i trajtimit është përcaktuar përmirësimi i rezultatit Gastroesophageal Reflux Disease - Health-related Quality of Life, prej të paktën 50% nga ai bazik.
E pra, shkalla e suksesit njëvjeçar ishte dukshëm më e lartë në grupin e trajtuar me fundoplikatio, krahasuar me grupet me trajtim aktiv ose me placebo (66.7% kundrejt 28.0% dhe 11.5%).
"Kemi mbetur të befasuar. Këta pacientë nuk ishin lehtësuar nga terapia mjekësore kur erdhën te ne dhe ne nuk kishim shumë mundësi të vlefshme për t'iu ofruar. Dhe, unë nuk isha aspak i bindur se ata do të reagonin mirë ndaj kirurgjisë", shpjegon Spechler-i. Testet rigoroze për të përjashtuar çrregullime të ndryshme nga refluksi, që mund të shkaktojnë urth, përfshijnë endoskopinë me biopsi ezofageale, manometrinë ezofageale dhe rezistencën e plotë intraluminale shumëkanalëshe, me monitorimin e pH. Sipas studiuesve, gastroenterologët duhet të kuptojnë rëndësinë e anamnezës sistematike të plotë dhe nuk duhet të kalojnë menjëherë në terapi invazive për pacientët me simptoma të ngjashme me ato të sëmundjes së refluksit refraktar.
"Numri i ulët i pjesëmarrësve që vuanin vërtet nga refluksi rezistent ndaj IPP-së, ishte i papritur. Kështu, nëse një pacient ka simptoma të vazhdueshme gjatë terapisë me IPP, duhet të mendojmë se kjo rezistencë e supozuar, mund të ketë edhe shkaqe të tjera përveç refluksit. Mesazhi më i rëndësishëm mendoj se është se shumica e pacientëve që kanë hyrë në këtë studim, të etiketuar si të prekur nga refluksi refraktar, kishin simptoma që nuk janë shkaktuar në të vërtetë nga refluksi acid", tha Ikuo Hirano, Universiteti Northwestern, Çikago.
Digestive Disease Week (DDW) 2018: Abstract 615. Presented June 4, 2018.
http://www.ddw.org/home