Mjekësi e përgjithshme

gus202024

Menaxhimi i simptomave të refluksit gastrik me barna IPP, alginate dhe aplikacione në celular

Nga objektivi i reduktimit të aciditetit në stomak në atë të parandalimit të kalimit të përmbajtjes gastrike në ezofag, me një mekanizëm veprimi më shumë fizik sesa farmakologjik, menaxhimi i sëmundjes së refluksit gastroezofageal (GERD) është transformuar ndër vite dhe ka sjellë zhvillimin e produkteve që formojnë një barrierë mbrojtëse, duke parandaluar vetë refluksin.


Mekanizmat e implikuar në GERD

GERD shkaktohet nga ndërveprimi i mekanizmave kimikë, mekanikë, psikologjikë dhe neurologjikë që ndikojnë në simptomatologji. Përbërësi kryesor që përcakton dëmtimin e mukozës ezofageale është refluksi i përmbajtjes gastrike, i cili mund të tejkalojë mbrojtjet e epitelit të ezofagut dhe të përmbajë disa substanca: copëza ushqimi, acid, enzima, siç janë pepsinat, deri në normalizimin e mikrobiotës.
Me qëllim menaxhimin e refluksit, këshilla e parë është ndryshimi i dietës dhe i stilit të jetës. Farmacistët mund t'u qartësojnë pacientëve rëndësinë e këtyre ndryshimeve në parandalimin efikas të refluksit. Megjithatë, efektet e dëmshme dhe simptomat e refluksit duhet të parandalohen përmes trajtimeve efikase, sidomos në format e rënda të sëmundjes, me qëllim parandalimin dhe trajtimin e komplikacioneve.


Trajtimi i GERD

Inhibitorët e pompës protonike (IPP) janë trajtimi standard i GERD, edhe pse disa pacientë nuk reagojnë siç duhet ndaj këtyre barnave. Në këto raste, këshillohet më mirë të analizohen thellësisht arsyet e vazhdimësisë së simptomave, sesa të trajtohen pacientët në mënyrë empirike me IPP, duke shmangur kostot e panevojshme dhe efektet anësore nga dozimet e larta dhe të zgjatura të këtyre  barnave.
Për pacientët që shfaqin një reagim të pjesshëm ndaj IPP, ekziston mundësia e shtimit të produkteve mbrojtëse të mukozës, si alignatet, ose ato me përmbajtje acidi hialuronik. Këto barna nuk janë më pak efektive se IPP në lehtësimin e simptomave të refluksit dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve, si në monoterapi, ashtu edhe në kombinim me IPP. Alignatet parandalojnë refluksin përmes një veprimi fizik, jo sistemik, karakteristik: duke vepruar me acidin e stomakut, alignati i natriumit prodhon një xhel me dendësi të ulët, i cili noton në përmbajtjen e stomakut dhe formon një barrierë që mbron mukozën gastrike dhe shërben si shtresë mbrojtëse për largimin efikas të refluksit. Së fundi, kjo barrierë përballet edhe me problemin e xhepit acid, i cili formohet në junksionin ndërmjet stomakut dhe ezofagut pas ngrënies dhe luan një rol të rëndësishëm në refluks: xheli me alignate mund ta bllokojë këtë xhep, duke reduktuar dhe parandaluar refluksin.


Përdorimi i aplikacioneve për menaxhimin e GERD

Një mjet i rëndësishëm për menaxhimin e GERD janë edhe aplikacionet në celular. Aktualisht, ekzistojnë aplikacione që mund t'i ndihmojnë mjekët në përmirësimin e edukimit të pacientit dhe në monitorimin e trajtimit, aderencës dhe vetëmenaxhimit të sëmundjes, edhe përmes monitorimit të faktorëve nxitës të simptomave dhe të aderencës ndaj barnave. Këto aplikacione mund t'i nxisin pacientët të ndjekin sjellje më të shëndetshme, të rrisin përfshirjen dhe fuqizimin e tyre, si aspekte thelbësore në menaxhimin e faktorëve të rrezikut të lidhur me stilin e jetës. Gjithashtu, disa aplikacione ofrojnë rikujtesa mbi dozimet dhe lehtësojnë komunikimin mjek-pacient e anasjelltas.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>