kor192018
Si vlerësohet dhe menaxhohet dhimbja e artritit?
Udhëzime të reja për menaxhimin e artritit inflamator dhe osteoartritit.
Liga Europiane kundër Reumatizmës (EULAR) ka publikuar në "Annals of the Rheumatic Diseases" një sërë rekomandimesh, që u vijnë në ndihmë operatorëve shëndetësorë për menaxhimin e dhimbjes te pacientët me artrit inflamator dhe osteoartrit, në detyrën e vështirë të reduktimit të rëndesës së një problemi të tillë për individin dhe për shoqërinë.
"Dhimbja është simptoma mbizotëruese te pjesa më e madhe e njerëzve me artrit inflamator dhe me osteoartrit. Shumë pacientë kërkojnë ndihmë për reduktimin e dhimbjes dhe një mbështetje të fuqishme e kompetente për lehtësimin e problemit, duke përmirësuar funksionalitetin e mirëqenien dhe duke reduktuar kostot individuale e sociale", shpjegon Rinie Geenen (Universiteti i Utrehtit) në krye të grupit multidisiplinar të punës që ka bërë një shqyrtim sistematik të literaturës për të vlerësuar efektet që kanë mbi dhimbjen, mundësitë e ndryshme të trajtimit. Task forca, që përfshinte 18 anëtarë që vinin nga 12 vende, përbëhej nga pacientë, infermierë, fizioterapistë, psikologë, reumatologë, mjekë të përgjithshëm, terapeutë profesionalë, epidemiologë klinikë dhe studiues.
Duke u bazuar në 186 studime të ekzaminuara më parë dhe në opinionin e ekspertëve, kërkuesit kanë nënvizuar rëndësinë që ka për operatorin shëndetësor, një menaxhim i përqendruar te pacienti, në këndvështrimin bio-psiko-social, për të patur një njohje të mjaftueshme të patogjenezës së artritit inflamator dhe të osteartritit dhe për të qenë në gjendje të bëjë dallimin mes dhimbjes së lokalizuar dhe asaj të përgjithshme.
Në këtë kuptim, është quajtur thelbësor momenti i vlerësimit të nevojave, të preferencave dhe të prioriteteve të pacientëve, të karakteristikave të dhimbjes, të mënyrës se si është trajtuar dhimbja më parë dhe si po trajtohet ajo në vazhdim, të inflamacionit dhe të dëmit artikular, përveçse të faktorëve psikologjikë, të lidhur me vetë dhimbjen.
Sipas task forcës, profesionistët në të gjitha strukturat shëndetësore, duhet të kenë përgatitjen dhe aftësitë e kërkuara për t'i ndihmuar njerëzit që ta menaxhojnë më mirë dhimbjen e tyre, duke u bazuar mbi të gjitha në edukimin e tyre. Në bazë të nevojave të pacientit, më tej, edukimi duhet të mbështetet nga aktiviteti dhe nga ushtrimi fizik, ndihma dhe pajisjet asistuese, ndërhyrjet psikologjike dhe sociale, edukimi me higjienën e gjumit, kontrolli i peshës, mundësitë terapeutike farmakologjike e artikulare dhe një mënyrë ndërdisiplinare për menaxhimin e dhimbjes.
Ann Rheum Dis. 2018. doi: 10.1136/annrheumdis-2017-212662
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29724726