gus62018
Kanceri i gjirit. Ushqimet me më pak yndyrë, shtojnë mbijetesën
Një dietë e varfër në yndyra dhe e pasur me fruta dhe perime, mund të ulë rrezikun e vdekjes nga kanceri i gjirit, sipas një artikulli të botuar në "JAMA", me autor kryesor Rowan Chlebowski (Qendra Kombëtare Mjekësore, në Duarte të Kalifornisë). Studimi është një analizë dytësore e ndjekjes afatgjatë të një studimi amerikan të kryer në vitet 1990: Modifikimi Dietik (DM) i Iniciativës së Shëndetit të Grave (WHI), i cili përzgjodhi në mënyrë rastësore 48,835 femra pas menopauzës për të vazhduar dietën e zakonshme ose për të ndjekur një dietë të varfër në yndyra dhe me përmbajtje të lartë frutash dhe perimesh për 8 vjet.
"Në total, 19.541 pjesëmarrëse e kanë reduktuar marrjen e yndyrës në 20% të totalit të kalorive duke shtuar sasinë e frutave, perimeve dhe drithërave, ndërkohë që grupi i mbetur, me 29.294 subjekte që vazhduan dietën e zakonshme, shërbyen si një grup kontrolli", shkruajnë studiuesit. Gjatë studimit, 1,764 gra kanë zhvilluar kancerin e gjirit, por në një analizë të mëparshme, dieta me yndyrë të ulët nuk tregoi një ndikim të rëndësishëm në rrezikun e zhvillimit të tumorit. Nga analiza dytësore e kryer për gratë që pas zhvillimit të kancerit të gjirit u ndoqën edhe për një dhjetëvjeçar, shfaqet një mbijetesë më e madhe tek ato që kanë ndjekur dietën me yndyrë të ulët (82%) sesa tek ato që vazhduan me dietën e zakonshme (78%).
"Dallimi është i vogël, por mbështet atë që dihet: një dietë e pasur me yndyra të ngopura është një faktor rreziku për kancerin e gjirit, si dhe lloje të tjera të kancerit, përveçse për mbipeshën dhe obezitetin", shkruajnë studiuesit, duke shpjeguar se ky studim i shtohet sasisë dërrmuese të të dhënave nga të cilat del se një dietë e ekuilibruar dhe një aktivitet i rregullt fizik zvogëlon rrezikun e kancerit, si dhe të sëmundjeve kronike.
"Përmbledhtazi, te gratë e diagnostikuara me kancer të gjirit gjatë ndërhyrjes dietike, ato që ndoqën një dietë të varfër në yndyra dhe të pasur me fruta dhe perime, mbijetuan më gjatë se grupi i kontrollit, që ndoqi një dietë të zakonshme", përfundon Chlebowski.
JAMA Oncology 2018. doi: 10.1001/jamaoncol.2018.1212
https://jamanetwork.com/journals/jamaoncology/article-abstract/2682190