sht32018
Kolonoskopia. Provohet solucioni i ri njëlitërsh, përkundër të mëparshmit, prej katër litrash
Një litër solucion që duhet pirë për pastrimin e zorrës së trashë, në vend të katër litrave të deritanishme. Kjo është risia që Fondacioni i Poliambulancës së Breshas u ofron pacientëve që i drejtohen kujdesit shëndetësor për të kryer një kolonoskopi. Përgatitja e re (Plenvu) ka në bazë të saj polietilen glikol (PEG) dhe e mban të pandryshuar profilin e konsoliduar të sigurisë dhe të efikasitetit, pavarësisht dozës më të ulët.
"Për të konfirmuar cilësitë e përgatitjes së re, në krahasim me përgatitjet që janë aktualisht në përdorim, poliambulanca ka bashkëpunuar në një studim shkencor ndërkombëtar, i cili është në fazën e publikimit dhe qëndron në rreshtin e parë në një studim eksperimental italian", theksohet në një shënim.
"Me mbi 5 mijë teste çdo vit, ne jemi në krye të listës në Lombardi për numrin e testeve të kryera", thotë Cristiano Spada, përgjegjës i njësisë operative të endoskopisë së aparatit tretës, pranë ambulancës.
"Reduktimi i dozës së përgatitjes, ka dobi të rëndësishme si në kuptimin e pajtueshmërisë, ashtu edhe në atë të tolerueshmërisë. Marrja e vëllimeve të larta të solucionit, është pa dyshim e vështirë dhe e rëndë për pacientin. Përveç problemeve të shijes, ka edhe afate kohore që duhet të respektohen dhe që e bëjnë përgatitjen veçanërisht të bezdisshme. Kjo do të thotë se disa pacientë nuk mund ta përfundojnë përgatitjen dhe kjo sjell një pastrim jo të mirë të zorrës së trashë, që kufizon kapacitetin diagnostikues të kolonoskopisë. Konsumimi i vetëm një litri të ndarë në dy doza, redukton në masë të madhe shqetësimet dhe pritet të reduktojë numrin e pacientëve të cilët nuk mund ta përfundojnë përgatitjen".