tet222018
Dhimbja kronike e shpinës. Trajtimi që përmirëson simptomat
Një studim i botuar në "JAMA Neurology", ka dalë në përfundimin se te pacientët me dhimbje shpine kronike, një program trajtimi njohës-motivues, që jep informacion mbi shkaqet dhe mekanizmat e dhimbjes, bashkë me trajnimet mbi kontrollin motorik, përmirëson simptomat e dhimbjes në mënyrë më efektive sesa në fizioterapinë e zakonshme.
"Me fjalë të tjera, pacientët me cervikalgji apo lombalgji kronike, duhet të qëndrojnë aktivë, pavarësisht dhimbjes", thotë autori kryesor, Anneleen Malfliet (Departamenti i Fizioterapisë në Universitetin "Vrije" në Bruksel), duke shtuar se nivelet e aktivitetit para simptomave duhet të përdoren si objektiv i trajtimit kundër dhimbjes. "Trajtimi efektiv i dhimbjes kronike të shtyllës kurrizore është thelbësor si për të përmirësuar cilësinë e jetës, ashtu edhe për të reduktuar kostot socio-ekonomike", thonë studiuesit, të cilët kanë krahasuar informacionin për dhimbjen e lidhur me një program trajnimi për kontrollin motorik me fizioterapinë e zakonshme kundër dhimbjes tek individët me dhimbje kronike të shpinës.
Me këtë qëllim, Malflieti dhe kolegët kanë kryer një studim shumëqendror me përzgjedhje rastësore të 120 pacientëve që janë përzgjedhur rastësisht për trajtimin në studim apo për fizioterapi.
"Vizitat e kontrolleve janë kryer në 3, 6 dhe 12 muaj pas nisjes së studimit dhe rezultatet tregojnë se në subjektet e grupit të studimit ka pasur një përmirësim të dukshëm të simptomave të dhimbjes në 3, 6 dhe 12 muaj, krahasuar me kontrollet", saktësojnë hulumtuesit, duke shtuar se në të gjitha vizitat e kontrollit, pacientët që i janë nënshtruar trajtimit njohës dhe motivues, kanë pasur përmirësime funksionale statistikisht të rëndësishme, me një ulje të paaftësisë klinike, si dhe një përmirësim të dukshëm në gjendjen e shëndetit mendor për 6 muaj dhe të shëndetit fizik në të gjitha kontrollet.
"Këto rezultate kërkojnë studime të mëtejshme për të hetuar efikasitetin e trajtimit njohës-motivues të dhimbjes kronike të shpinës dhe llojeve të tjera të dhimbjes kronike, të tilla si ajo e artritit të gjurit dhe dhimbja neoplastike", përfundojnë studiuesit.
JAMA Neurol. 2018. doi:10.1001/jamaneurol.2018.0492
https://jamanetwork.com/journals/jamaneurology/fullarticle/2678439