shk72019
Ekzema atopike. Rriten normat e sëmundjes mes adultëve
Sipas një studimi të publikuar në "Annals of Internal Medicine", ekzema, e njohur zakonisht si sëmundje e fëmijëve, do të ishte e zakonshme edhe ndërmjet adultëve më në moshë. "Kemi treguar që normat e ekzemës atopike aktive rriten bashkë me moshën, tek adultët në fushën e kurave primare, duke ndeshur kështu një boshllëk në provat për epidemiologjinë e kësaj patologjie pas moshës pediatrike", konfirmojnë Katrina Abuabara dhe Alexa Magyari (Universiteti i Kalifornisë në San Francisko), që kanë drejtuar grupin e punës.
Kërkuesit kanë analizuar të dhënat e 8.604.333 vetëve 0-99 vjeç nga një kohorte në fushën e asistencës primare, që përfaqëson popullsinë e Mbretërisë së Bashkuar, ku mjekët e përgjithshëm menaxhojnë 97% të pacientëve me ekzemë atopike.
Në fillim, janë identifikuar pacientët me ekzemë të diagnostikuar klinikisht dhe, duke u nisur nga karakteri episodik i patologjisë, në vijim është llogaritur prevalenca e sëmundjes aktive që ka kërkuar një vizitë ose një recetë mjekësore gjatë çdo viti të ndjekjes. Prevalenca kumulative e çrregullimit në dekursin e një jete të tërë ka qenë 9,9% dhe normat më të larta janë observuar ndërmjet fëmijëve dhe adultëve të moshuar. Prevalenca mesatare ka qenë e barabartë me 12,3% ndërmjet personave me moshë nga 0 deri në 17 vjeç e më pas ka zbritur në 5,1% te personat e moshës 18-74 vjeç duke u ngritur sërish në 8,7% ndërmjet atyre që ishin 75 vjeç ose më shumë.
Në të gjitha grupmoshat, pacientët kanë marrë çdo vit një mesatare prej gjashtë recetash për trajtimin e ekzemës atopike, me steroide topike dhe trajtime sistemike. Normat më të larta të komorbiditetit atopik, që përfshijnë astmën dhe alergjitë ose rinitin, janë observuar ndërmjet adultëve nga 18 deri në 74 vjeç. Kërkuesit nënvizojnë përveç të tjerash që prevalenca reale e ekzemës mund të jetë më e lartë nga ç'e kanë vlerësuar ata, duke qenë se kartelat klinike nuk përmbajnë trajtimet me barnat që shiten pa recetë dhe shpesh, mjekët nuk i përmendin format e lehta të sëmundjes.
"Ekzema atopike ka ndikim thelbësor mbi aspektet emotive dhe fizike të cilësisë së jetës që lidhen me shëndetin, por shpesh është nëntrajtuar", shpjegojnë autorët, që më pas përfundojnë duke konfirmuar se dalëngadalë, do të jenë të disponueshme terapitë e reja dhe mjekët e përgjithshëm do të kenë ndoshta një rol më të rëndësishëm në menaxhimin e adultëve me ekzemë atopike, duke u kushtuar vëmendje të veçantë adultëve më në moshë.
Ann Intern Med. 2018. doi: 10.7326/M18-2246
https:// www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30508419