maj162019
Denosumab vs alendronat. Cili sjell risk më të lartë për frakturë osteoporotike?
Studimet klinike të randomizuara "head-to-head" që janë kryer deri më tani, kanë treguar një efikasitet më të madh të denosumabit, në krahasim me alendronatin, në përmirësimin e densitetit mineral kockor. Edhe pse ka pasur një lidhje mes ndryshimeve të rëndësishme në densitetin mineral kockor dhe reduktimit të riskut për fraktura, entiteti i një lidhjeje të tillë nuk është përcaktuar mirë. Me objektivin e krahasimit të riskut për fraktura legeni dhe çdo lloj frakture te pacientët e trajtuar me denosumab dhe alendronat në kushtet e praktikës klinike rutinore, është kryer së fundmi një studim nga një grup kërkuesish ndërkombëtarë të udhëhequr nga Alma B. Pedersen (Departamenti i Epidemiologjisë Klinike në Spitalin Universitar të Aarhusit, Danimarkë).
"Në këtë studim kohorte historik, të kryer mbi popullsinë daneze, me qasje universale në asistencën shëndetësore, janë përdorur në mënyrë perspektive të dhënat e grumbulluara individualisht nga regjistrat shëndetësorë danezë me një ndjekje shëndetësore të plotë", shpjegojnë autorët. "Kohortet përbëheshin nga 92.355 individë 50 ose më shumë vjeç, që ishin përdorues të rinj të denosumabit (4.624 vetë) ose të alendronatit (87.731 vetë), të marrë në konsideratë nga maji 2010 deri në dhjetor 2017, pas të paktën 1 viti pa administrim të barnave kundër osteoporozës." Për ekspozimin është marrë në konsideratë fillimi i trajtimit me denosumab ose alendronat. "Rezultati primar", specifikojnë autorët, "ishte hospitalizimi për frakturën e legenit, ndërsa rezultati sekondar ishte hospitalizimi për çfarëdolloj frakture. Për të llogaritur incidencat kumulative dhe raportet e riskut të rregulluar (aHR, adjusted hazard ratios) me IC (intervali i besueshmërisë) 95% është përdorur probabiliteti invers i ponderimit të trajtimit dhe trajtimi intention-to-treat."
Rezultatet janë si në vijim: Nga 92.355 pacientë të përfshirë, 75.046 (81,3%) ishin gra dhe mosha mesatare (SD) ishte 71 (10) vjeç. Në grupin e denosumabit kishte një përqindje më të ulët të burrave në krahasim me grupin e alendronatit (12,7% [589] vs 19,0% [16700]), ndërsa shpërndarja e moshës ishte e ngjashme në të dyja grupet.
Brenda 3 vjetësh, fillimi i denosumabit ose alendronatit lidhej me një incidencë kumulative respektivisht 3,7% dhe 3,1% për frakturë të legenit dhe 9,0% e 9,0% respektivisht për çfarëdolloj frakture. Në mënyrë të përgjithshme, aHT për denosumab vs alendronat ishin 1,08 (IC 95% 0,92-1,28) për frakturën e legenit dhe 0,92 (IC 95% 0,83-1,02) për çfarëdolloj frakture. aHR e denosumab vs alendronat për frakturën e legenit ishte 1,07 (IC 95%, 0,85-1,34) ndërmjet pacientëve me një histori për çfarëdolloj frakture dhe 1,05 (IC 95%, 0,83-1,32) ndërmjet pacientëve pa histori frakture. aHR për çfarëdolloj frakture për denosumab vs alendronat ishte 0,84 (IC 95%, 0,71-0,98) ndërmjet pacientëve me një histori për çfarëdolloj frakture dhe 0,77 (IC 95%, 0,64-0,93) ndërmjet pacientëve pa histori frakture.
Si përfundim, nënvizojnë Pederseni dhe kolegët e tij, "në praktikën klinike rutinë, trajtimi me denosumab dhe alendronat, ka rezultuar i lidhur me risqet e ngjashme të frakturës së legenit ose të çfarëdolloj frakture për një periudhë 3-vjeçare, pavarësisht historisë së frakturave të mëparshme."
Arturo Zenorini