Mjekësi e përgjithshme

gus132020

Coronavirusi dhe osteoporoza. Rastet e frakturave te të moshuarit janë të destinuara të shtohen

Ndërprerja e detyruar gjatë pandemisë e aktiviteteve të kujdesit shëndetësor për sëmundjet kronike, përfshirë ekzaminimet dhe trajtimet për osteoporozën dhe rehabilitimin fizik, do të shkaktojë një shtim të frakturave dhe komplikacioneve të tyre te të moshuarit mbi 65 vjeç, sipas një komenti të publikuar në "Nature Reviews Endocrinology".
"Në Itali vetëm 20% e pacientëve me fraktura i nënshtrohen terapisë antiosteoporozë, ndërsa 80% e mbetur nuk marrin trajtim. Është njëlloj sikur një pacient, pas një infarkti, të nxirret nga spitali pa iu caktuar një trajtim bazë, për shembull, me statina ose beta-bllokues. Ne duam t'i ndërgjegjësojmë mjekët dhe pacientët për një emergjencë të heshtur që, pas epidemisë Covid-19, rrezikon të shpërthejë në të gjithë dramën e saj", shpjegon autori kryesor i punimit, Nicola Napoli (Spitali Universitar Campo Bio-Medico, Napoli).

Coronavirusi i ri ka prekur kryesisht të moshuarit mbi 60 vjeç, për të cilët për shkak të imobilizimit si rezultat i sëmundjes dhe pas trajtimeve të gjata dhe dobësuese, rritet rreziku i brishtësisë së eshtrave dhe i frakturave. Për më tepër, gjatë emergjencës, pothuajse kudo njerëzit që vuanin nga osteoporoza trajtoheshin si pacientë jo urgjentë dhe nuk janë ndjekur siç duhet.
"Gjatë karantinimit, shumë sektorë ortopedikë, rehabilitues ose kronikë të pacientëve u mbyllën, për të bërë vend për pacientët Covid dhe për të siguruar masa kundër infektimit. Për pasojë, pacientët me fraktura të legenit, nëse pranoheshin në spital, u larguan me shpejtësi pas operacionit dhe shpesh pa rehabilitimin e duhur pas ndërhyrjes, pa trajtime anti-osteoporozë ose rekomandime të mëtejshme për ndjekje", shpjegon Napoli. Pikërisht për këtë arsye, rreziqet për të gjitha komplikacionet që lidhen me fraktura të tilla si ajo e femurit, infeksionet dhe patologjitë kardiovaskulare, rriten. Sipas ekspertëve, tani është e nevojshme që këtyre pacientëve t'u kthehet vëmendja e munguar dhe t'u garantohen trajtimet e duhura.
Pa një vazhdimësi të kujdesit, në fakt, në planin afatgjatë, mbijetesa e këtyre njerëzve do të vihet në rrezik. Autorët përfundojnë duke deklaruar se njerëzit me fraktura të brishtësisë duhet të menaxhohen në një mjedis klinik multidisiplinar, i cili është në gjendje të garantojë trajtim kirurgjik, por edhe kujdes, pas daljes nga spitali.

 

Nature Rev Endoc 2020. Doi: 10.1038/s41574-020-0379-z
https://doi.org/10.1038/s41574-020-0379-z


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>