maj212024
Ndryshimet e vdekshmërisë midis pacientëve me Covid-19 dhe atyre me grip sezonal
Në një studim të publikuar në JAMA, tregohet tabloja e detajuar dhe e përditësuar mbi pabarazitë në rrezikun për vdekshmëri te pacientët e shtruar në spital për Covid-19, krahasuar me ata të shtruar për grip sezonal gjatë periudhës vjeshtë-dimër 2023-2024. Pavarësisht një rënieje të përgjithshme të rrezikut për vdekshmëri nga Covid-19, krahasuar me vitet e mëparshme, pacientët e shtruar për Covid-19 vazhdojnë të paraqesin më shumë se 35% rrezik për vdekje, krahasuar me ata të shtruar për grip sezonal, me një normë vdekjeje respektivisht 5.70% për Covid-19 dhe 4.24% për gripin sezonal.
Ky ndryshim i qenësishëm thekson rëndësinë e strategjive të synuara të parandalimit dhe trajtimit, sidomos përsa i përket qëndrueshmërisë dhe evoluimit të virusit SARS-CoV-2, i përfaqësuar me variantin më të fundit JN.1. Kjo analizë bazohet në të dhënat e grumbulluara nga arkivi elektronik i Department of Veterans Affairs në SHBA, në të cilën u përfshinë 11.272 pacientë të diagnostikuar dhe të shtruar në spital nga 1 tetori 2023 e deri më 27 mars 2024.
Pavarësisht saktësisë së metodave statistikore të ndjekura, autorët shprehen se popullata e të moshuarve veteranë, kryesisht meshkuj, mund të mos i reflektojë plotësisht ndryshimet demografike botërore, duke sugjeruar të tregohet kujdes në përgjithësimin e rezultateve.
Një aspekt interesant i punës lidhet me përballimin e rrezikut për vdekje nga pacientët e shtruar për Covid-19, para dhe gjatë fazës të mbizotërimit të variantit JN.1. Në këtë analizë nuk u vërejt ndonjë ndryshim i dukshëm, me norma vdekshmërie respektivisht 5.46% dhe 5.82%, duke evidentuar se ashpërsia e JN.1 mund të jetë e krahasueshme me variantet e tjera para tij.