kor12024
Dekompensimi kardiak. Kufizimi i natriumit, më pak i dobishëm nga sa mendohej
Në një studim të publikuar në European Journal of Clinical Investigation është rivlerësuar çështja e vjetër e kufizimit të natriumit te pacientët e prekur nga dekompensimi kardiak. Në këtë analizë, është analizuar në mënyrë kritike literatura e disponueshme, me qëllim që t'i jepet përgjigje një pyetjeje thelbësore: A i përmirëson vërtetë kufizimi i natriumit rezultatet klinike te pacientët me dekompensim kardiak? Gjatë dekadave të fundit, kufizimi i natriumit ka qenë një rekomandim standard për pacientët me dekompensim kardiak. Kjo këshillë, bazohej në idenë që reduktimi i konsumit të natriumit kufizon ruajtjen e lëngjeve, duke reduktuar edemën dhe komplikacionet e lidhura me të. Megjithatë, deri më tani mungojnë evidenca konkrete nga studime të mëdha klinike të randomizuara që mbështesin këtë praktikë.
U analizuan artikuj të indeksuar në PubMed në vitet 2000-2023, duke përdorur terma kyç si dekompensimi kardiak, kripa, natriumi dhe konsumimi i lëngjeve.
Një nga zbulimet më të rëndësishme të këtij studimi ishte mungesa e evidencave në mbështetje të përfitimit klinik të qenësishëm që rrjedh nga kufizimi i madh i lëngjeve. Në fakt, një studim i madh i randomizuar dhe i kontrolluar u ndërpre para kohe për shkak të mungesës së dobishmërisë, pa shfaqur reduktime të dukshme në vdekshmëri apo shtrime në spital për shkak të dekompensimit kardiak.
Si përfundim, ndërsa cilësia e jetës dhe klasa funksionale mund të përmirësohen lehtësisht me reduktim të moderuar të natriumit, sëmundshmëria dhe vdekshmëria nuk ndikohen dukshëm. Nuk ekzistojnë evidenca që kufizimi i madh i natriumit, redukton incidencën e vdekshmërisë dhe shtrimeve në spital te pacientët me dekompensim kardiak.