Mjekësi e përgjithshme

jan152024

Shtrimi në spital për COVID-19 shoqërohet me rreziqe më të mëdha afatgjata, sesa shtrimi në spital për gripin

Sipas një studimi të botuar në Lancet Infectious Diseases, shtrimi në spital për COVID-19 është i lidhur me rreziqe më të larta të vdekjes dhe pasoja shëndetësore negative afatgjata në krahasim me shtrimin për grip, edhe pse të dyja gjendjet kanë një barrë të konsiderueshme post-akute.

"Ne kemi kryer një vlerësim krahasues të rreziqeve dhe ngarkesave akute e afatgjata mbi një sërë rezultatesh shëndetësore pas shtrimit në spital për COVID-19 ose grip sezonal", shpjegon Yan Xie, studiuese kryesore. Studiuesit analizuan të dhënat e 81,280 pacientëve të shtruar në spital për COVID-19 dhe 10,985 pacientëve të shtruar për grip sezonal, deri në 18 muaj pas shtrimit në spital. Krahasuar me grupin e gripit sezonal, grupi i COVID-19 shfaqi rrezik të shtuar vdekjeje, që korrespondon me një shkallë të lartë vdekshmërie prej 8.62 në 100 vetë. COVID-19 solli një rritje rreziku prej 68.1% në lidhje me shfaqjen e rezultateve të paracaktuara shëndetësore, ndërsa gripi sezonal solli një rritje rreziku prej 6.4%. Analizat e sistemeve të organeve treguan se COVID-19 paraqet rrezik më të lartë në të gjitha sistemet e organeve, me përjashtim të sistemit pulmonar, në të cilin gripi shkaktonte rrezik më të lartë. Normat kumulative të rezultateve të pafavorshme shëndetësore në të gjitha sistemet e organeve ishin 615,18 për 100 vetë në COVID-19 dhe 536,90 për 100 vetë në gripin sezonal dhe numri i viteve të jetës të përshtatura sipas paaftësisë (DALY) në të gjitha sistemet e organeve ishte 287,43 për 100 vetë në grupin e COVID-19 dhe 242.66 për 100 vetë në grupin e gripit sezonal. Analiza e të dhënave tregoi se, si në grupin e COVID-19, ashtu edhe në gripin sezonal, është verifikuar një ngarkesë më e madhe e humbjes së shëndetit në fazën post-akute, sesa në atë akute dhe se me përjashtim të sistemit pulmonar, grupi i COVID-19 kishte një ngarkesë më të madhe të humbjes së shëndetit në të gjitha sistemet e tjera të organeve krahasuar me gripin sezonal, si në fazën akute, ashtu edhe në atë post-akute.

Krahasuar me gripin sezonal, COVID-19 paraqiste gjithashtu një rrezik më të lartë të rishtrimit në spital dhe terapi intensive. "Barra e konsiderueshme kumulative e humbjes së shëndetit në të dyja grupet kërkon parandalim më të madh të shtrimeve në spital për këto dy viruse", përfundojnë autorët.

Lancet Infectious Diseases 2023. Doi: 10.1016/S1473-3099(23)00684-9
https://doi.org/10.1016/S1473-3099(23)00684-9


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>