Mjekësi e përgjithshme

maj202019

Diagnostikimi citologjik prekirurgjikal i neoplazive të tiroides

Prezantimi së fundmi i neoplazive folikulare të tiroides jo invazive me karakteristika nukleare të ngjashme me ato papilare (NIFTP), ka modifikuar në mënyrë të konsiderueshme riskun e malinjitetit të diagnozave citologjike.

Në fakt, ndërkohë që më parë ky tumor klasifikohej si karcinomë (varianti folikular i inkapsuluar dhe joinvaziv i karcinomës papilare të tiroides), sot ai konsiderohet si një neoplazi me potencial të ulët malinjiteti. Duke qenë se karakteristikat citologjike të NIFTP-së nuk janë specifike dhe u mbivendosen entiteteve të tjera patologjike, nuk ekziston një kategori specifike e diagnostikimit citologjik për NIFTP-në. Me qëllim që të merren informacione më të besueshme mbi rezultatet citologjike që lidhen me të, një grup kërkuesish të udhëhequr nga Massimo Bongiovanni (Instituti Universitar i Patologjisë, CHUV, Lozanë), ka ekzaminuar në mënyrë sistematike artikujt mbi këtë argument dhe ka kryer një meta analizë të të dhënave.

Rishikimi është kryer sipas udhëzimeve të PRISMA-s. Autorët kanë zhvilluar një kërkim bibliografik të plotë të bazës së të dhënave PubMed/MEDLINE dhe Scopus, duke përdorur një kombinim specifik termash, si "joinvaziv", "i inkapsuluar", "varianti folikular", "NIFTP" dhe "kancer i tiroides". Kërkimi është përditësuar deri në qershor 2018 dhe i janë nënshtruar skrinimit edhe referimet e artikujve të gjetur. Vetëm artikujt origjinalë që çonin në klasifikimin e NIFTP-së së provuar në mënyrë histologjike me gjetjet citologjike sipas Sistemit Bethesda për raportimin e citopatologjisë së tiroides (TBSRTC, Bethesda System for Reporting Thyroid Cytopathology) mund të përfshiheshin në analizë.

Kërkimi bibliografik ka evidentuar 117 artikuj nga të cilët 15 (të gjithë retrospektivë) janë përfshirë në studim. Është gjetur një numër total prej 915 rastesh me NIFTP. Incidenca e rasteve citologjike të klasifikuara sipas Sistemit Bethesda, ka qenë si në vijim:
- të padiagnostikuara 3%,
- beninje 10%,
- atipi me rëndësi të papërcaktuar ose lezion folikular, me rëndësi të papërcaktuar (AUS/FLUS) 30%,
- neoplazi folikulare ose dyshim për neoplazi folikulare (FN/SFN) 21%,
- dyshim për malinjitet 24%,
- malinj 8%.

Gjithashtu, është vënë re një heterogjenitet i lehtë ndërmjet studimeve. Në fakt, mungon një bias publikimi. "Kjo meta analizë tregon se diagnozat citologjike që lidhen me NIFTP nëpërmjet citologjisë së aspirimit me age të hollë, përfshijnë një spektër të gjerë rezultatesh", nënvizojnë Bongiovanni dhe kolegët e tij. "Pjesa më e madhe e rasteve është citologjikisht e papërcaktuar dhe pjesa e mbetur mund të lexohet si jo diagnostikuese, beninje apo malinje. Me qëllim zhvillimin e një diagnoze të kujdesshme prekirurgjikale të këtyre rasteve, është e nevojshme të identifikohen karakteristika të tjera citologjike dhe/ose molekulare", përfundojnë autorët.


Thyroid, 2018 Nov 14. doi: 10.1089/thy.2018.0394. [Epub ahead of print]
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30426887


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>