kor292019
Kanceri i tiroides. Mbikëqyrje aktive apo ndërhyrje kirurgjikale?
Pacientët e prekur nga kanceri i tiroides, që zgjedhin të ndjekin rrugën e mbikëqyrjes aktive në vend të ndërhyrjes kirurgjikale, kanë referuar një peshë psikologjike të shqetësimit për sëmundjen e tyre, të ngjashme me atë të pacientëve që i nënshtrohen tiroidektomisë, e cila nga ana tjetër, ka rënë me kalimin e kohës. Kjo është përmbledhja e rezultatit të një studimi të gjerë në Kuma Hospital, Japoni dhe të publikuar në "JAMA Otolaringology-Head & Neck Surgery". "Rezultatet tona sugjerojnë se shqetësimi i mundshëm për kancerin nuk duhet të shihet si problem për suksesin e mbikëqyrjes së kancerit të tiroides", shpjegon Louise Davies (Shkolla e Mjekësisë "Geisel", në Hanover, SHBA), autore kryesore e punimit.
Kërkuesit kanë kryer një sondazh ndërmjet pacientëve që janë ndjekur në qendrën japoneze, në të cilën menaxhohet pjesa më e madhe në botë e kohortes së pacientëve që i nënshtrohen mbikëqyrjes aktive për mikrokarcinomën papilare të tiroides. Nga 215 pacientë që kanë plotësuar sondazhin, 37% kanë referuar se shqetësimi që lidhet me tumorin është shfaqur herë pas here, 42% thonë se është shfaqur rrallë dhe 21%, kurrë. 32% e të pyeturve kanë referuar se shqetësimi ka ndikuar pak apo shumë humorin personal, 44% se ka ndikuar vetëm pak dhe pjesa e mbetur, 24%, aspak. 14% e pacientëve më pas ka konfirmuar se shqetësimi ka ndikuar në kapacitetin e tyre për të kryer aktivitetet ditore.
Ndër shkaqet kryesore të shqetësimit, pacientët kanë referuar frikën nga përhapja e kancerit, nevojën për ndërhyrje të mëtejshme kirurgjikale dhe vështirësinë në interpretimin e përjetimeve trupore në zonën e kancerit. Megjithatë, 60% e individëve kanë konfirmuar se ka pasur një rënie në nivelin e shqetësimit brenda tre vjetësh nga diagnostikimi dhe në atë moment, përqindja e pjesëmarrësve që ka thënë se nuk është shqetësuar aspak për kancerin, është rritur nga 14%, në 25%.
Autorët nënvizojnë se 83% e pacientëve janë të bindur që mbikëqyrja aktive ka qenë vendimi i tyre më i mirë. Në një artikull shoqërues, Anna Sawka dhe David Goldstein (Universiteti i Torontos) sugjerojnë që rezultatet duhet të jenë një paralajmërim për mjekët, në mënyrë që të marrin gjithmonë në konsideratë shqetësimet e mundshme të pacientëve në lidhje me diagnozën e tyre.
JAMA Otolaryngol Head Neck Surg. 2019. doi: 10.1001/jamaoto.2018.4131
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30703198
JAMA Otolaryngol Head Neck Surg. 2019. doi: 10.1001/jamaoto.2018.4260
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30703201