Focus

qer162022

Kirurgjia bariatrike ul rrezikun për kancer tek obezët

Te të rriturit obezë, humbja e peshës e arritur nëpërmjet kirurgjisë bariatrike lidhet me një rrezik 32% më të ulët për zhvillimin e kancerit dhe 48% rrezik më të ulët të vdekjes së lidhur me kancerin sesa tek individët që nuk i janë nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, sipas një studimi të botuar në JAMA. 

"Kirurgjia bariatrike është aktualisht trajtimi më efektiv për obezitetin. Pacientët mund të humbasin 20-40% të peshës së tyre trupore pas operacionit dhe rënia në peshë mund të zgjasë për dekada. Rezultatet befasuese të këtij studimi tregojnë se sa më e madhe të jetë rënia në peshë, aq më i ulët është rreziku i kancerit", shpjegon autori kryesor i studimit Ali Aminian (Cleveland Clinic, SHBA).

Studimi SPLENDID (Surgical Procedures and Long-term Effectiveness in Neoplastic Disease Incidence and Death) përfshiu më shumë se 30,000 pacientë nga Cleveland Clinic. Një grup prej 5,053 pacientësh obezë të rritur që iu nënshtruan një operacioni bariatrik ndërmjet viteve 2004-2017, u krahasua me një grup kontrolli prej 25,265 pacientësh obezë, të cilët nuk i ishin nënshtruar ndërhyrjes. Pas 10 vitesh, 2.9% e pacientëve në grupin e kirurgjisë bariatrike dhe 4.9% e pacientëve në grupin jokirurgjikal zhvilluan kancer të lidhur me obezitetin.

Pas 10 vitesh, 0.8% e pacientëve në grupin kirurgjikal dhe 1.4% e pacientëve në grupin jokirurgjikal vdiqën nga kanceri. Këto rezultate tregojnë se kirurgjia bariatrike lidhet me një rrezik 48% më të ulët të vdekjes nga kanceri. Studiuesit vunë në dukje se përfitimet e kirurgjisë bariatrike janë të pranishme në një gamë të gjerë pjesëmarrësish në studim, duke përfshirë gratë, burrat, të rinjtë, të moshuarit dhe pacientët me ngjyrë, në mënyrë të ngjashme si pas operacioneve të bypass-it gastrik, ashtu edhe pas operacioneve të gastrektomisë në formë mënge. "Rezultatet kanë treguar se kirurgjia bariatrike mund të shoqërohet me një rrezik të reduktuar të kancerit dhe vdekshmërisë nga kanceri", shkruan në një editorial Anita Courcoulas (Universiteti i Pitsburgut SHBA).

"Është e nevojshme që të vazhdojnë kërkimet mbi këtë temë dhe nëse kjo lidhje vërtetohet më tej, do të zgjerojë përfitimet e kirurgjisë bariatrike në një fushë tjetër të rëndësishme të shëndetit dhe parandalimit afatgjatë", përfundon Courcoulasi.

 

JAMA 2022. Doi: 10.1001/jama.2022.9009
http://doi.org/10.1001/jama.2022.9009

JAMA 2022. Doi: 10.1001/jama.2022.9166
http://doi.org/10.1001/jama.2022.9166


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>