sht242019
Kanceri i gjirit: Te burrat, vdekshmëria është më e lartë
Vdekshmëria pas diagnostikimit të kancerit është më e lartë mes pacientëve meshkuj me karcinomë mamare, krahasuar me femrat, sipas një studimi të publikuar në "JAMA Oncology".
"Në të kaluarën janë sinjalizuar dallime mes mbijetesës së pacientëve meshkuj dhe atyre femra, që vuajnë nga karcinoma mamare, por faktorët e fshehtë, të lidhur me këtë dallim, nuk janë studiuar gjerësisht. Mendojmë se është thelbësore të kuptojmë këtë dallim që të zhvillojmë strategjitë për trajtimin e kancerit dhe asistencën për mbijetesën", thotë Fei Wang (Universiteti Vanderbilt Nashvil, SHBA), që ka udhëhequr grupin e punës. Kërkuesit kanë përdorur një bazë kombëtare të dhënash për të identifikuar pacientët që janë diagnostikuar me kancer të gjirit në periudhën 1 janar 2004 - 31 dhjetor 2014 dhe për të marrë një seri të dhënash mbi ta.
Gjithsej, në studim janë përfshirë 16.025 burra dhe 1.800.708 gra me karcinomë mamare. Krahasuar me pacientet e gjinisë femërore, pacientët meshkuj kanë paraqitur një vdekshmëri më të lartë në të gjitha fazat e kancerit. Për burrat, norma e mbijetesës së përgjithshme ka qenë 45,8%, norma e mbijetesës për tre vjet, 86,4% dhe norma e mbijetesës për pesë vjet, 77,6%. Për gratë, në fakt, norma e mbijetesës së përgjithshme ka qenë 60,4%, norma e mbijetesës për tre vjet 91,7% dhe norma e mbijetesës për pesë vjet, 86,4%.
Në mënyrë të përmbledhur, karakteristikat klinike dhe trajtimet e pamjaftueshme kanë qenë të lidhura me një normë vdekshmërie të tepërt prej 63,3% përsa u përket pacientëve meshkuj. Gjinia, gjithsesi ka mbetur një faktor domethënës i lidhur me vdekshmërinë e përgjithshme, si dhe me vdekshmërinë për 3 e 5 vjet, edhe pas rregullimit klinik sipas karakteristikave, faktorëve të trajtimit, moshës, racës dhe etnisë, si dhe qasjes ndaj kurave.
"Besojmë se është e rëndësishme të identifikojmë faktorë të tjerë biologjikë që kontribuojnë në këtë pabarazi, përveçse të verifikojmë pajtueshmërinë e trajtimit dhe faktorët e stilit të jetës te burrat", përfundojnë autorët.
JAMA Oncology 2019. Doi: 10.1001/jamaoncol.2019.2803
https://dx.doi.org/10.1001/jamaoncol.2019.2803