maj102023
Karcinoma mamare. Radioterapia pas operacionit mund edhe të shmanget
Një studim i ri ka treguar se gratë mbi 65 vjeç me karcinomë mamare në fazë të hershme mund të shmangin radioterapinë pas operacionit, pasi nuk duket se rrit jetëgjatësinë.
Studimi i cili zgjati dhjetë vjet dhe u botua në "The New England Journal of Medicine", zbuloi se shtimi i radioterapisë në operacionin për ruajtjen e gjirit dhe terapinë hormonale nuk e zgjati mbijetesën e pacienteve. Në mënyrë të veçantë, shmangia e këtij trajtimi nuk ndikoi as në rritjen e rrezikut për përhapjen e sëmundjes në pjesë të tjera të trupit. Për më tepër, autori kryesor i studimit, Ian Kunkler nga Universiteti i Edinburgut, theksoi se radioterapia mund të shkaktojë probleme kardiake dhe efekte të tjera anësore që "shkaktojnë një barrë të rëndë për pacientet, veçanërisht për ato më të moshuara. Gjetjet tona - vazhdon studiuesi - do t'i ndihmojnë mjekët të drejtojnë pacientet e moshuara drejt mundësisë të shmagies së këtij trajtimi".
Studimi përfshiu 1,326 paciente mbi 65 vjeç me karciomë mamare me rrezik të ulët (përmasat jo më të mëdha se 3 centimetra), pa përfshirje të nyjeve limfatike dhe me një përgjigje të mundshme pozitive ndaj trajtimit hormonal. Të gjitha pacientet iu nënshtruan një operacioni për ruajtjen e gjirit dhe të paktën pesë vjet terapi hormonale. Nga këto, gjysma iu nënshtruan radioterapisë pas operacionit. Në 10 vjet, mbijetesa e përgjithshme ishte 81% në të dy grupet, dhe shumica e vdekjeve nuk ndodhën për shkak të kancerit. Në fund, studiuesit theksuan gjithashtu se shmangia e trajtimit me rrezatim kërkonte përfundimin e terapisë hormonale për të paktën pesë vjet.
https://www.nejm.org/doi/full/10.1056/NEJMoa2207586?utm_source=Sailthru&utm_medium=Newsletter&utm_campaign=Health-Rounds&utm_term=021623
Cristoforo Zervos