kor272020
Lavazhet nazale dhe gargarat mund të reduktojnë ngarkesën virale në gojë dhe hundë
Massimo Ciccozzi, drejtues i Njësisë së Statistikave Mjekësore dhe Epidemiologjisë Molekulare në Universitetin Bio-Mjekësor të Romës dhe Manuele Casale, UOS, Terapitë e Integruara në Otolaringologji, në një tekst të botuar në "International Journal of Immunopathology and Pharmacology", dalin në përfundimin se lavazhet nazale dhe gargarat me solucione lehtësisht alkoolike, mund të jenë të dobishme për të parandaluar infeksionet nga Sars-CoV-2.
Studiuesit nisen nga hamendësimi se lavazhet nazale dhe gargarat, përdoren shpesh për të reduktuar incidencën e infeksioneve të traktit të sipërm respirator-tretës. Në veçanti, ata kujtojnë se një studim ka treguar që kryerja e lavazheve nazale tri herë në ditë për tetë javë në një grup fëmijësh uli ndjeshëm numrin e infeksioneve të traktit të sipërm respirator, simptomat e rinosinusitit, përdorimin e barnave dhe ditët e mungesës në shkollë, në krahasim me një grup kontrolli.
Në një studim tjetër u vërejt se, në subjektet me ftohje të zakonshme, të trajtuar me lavazhe nazale dhe gargarë, pati ulje të kohëzgjatjes së sëmundjes, të konsumit të barnave, në shkallën e infeksionit dhe në ngarkesën virale nazale. Sipas studiuesve, pra, lavazhet mund të zvogëlojnë ngarkesën virale të Covid-19 në gropat e hundës, dhe, falë joneve të klorurit që përmban solucioni fiziologjik, përmirësojnë mekanizmat mbrojtës antiviralë përmes aktivizimit të imunitetit të lindur të qelizave të mukozës nazale. Kjo mund të jetë veçanërisht e rëndësishme në moshën pediatrike. "Te fëmijët mund të jetë e vështirë të imponohet distancimi shoqëror, përdorimi i saktë i maskës dhe larja e hundës mund të identifikohet si lojë", shpjegon Ciccozzi.
Më tej, ekspertët analizojnë mundësinë e gargarave me agjentë antimikrobikë, të cilat mund të zvogëlojnë ngarkesën virale të pranishme në lëngjet orale dhe për këtë arsye, në spërkla. Ekspertët kujtojnë se derisa të kemi në dispozicion një vaksinë, do të duhet të zbatohen shumë masa dhe do të nevojiten studime të mëtejshme në shkallë më të gjerë për të verifikuar në veçanti efektivitetin e kësaj strategjie parandaluese të rëndësishme dhe premtuese.
International Journal of Immunopathology and Pharmacology
https://journals.sagepub.com/home/iji