sht22020
Mes komplikacioneve post operatore, gjakderdhja është më vdekjeprurëse sesa mpiksja e gjakut
Gjakderdhja post kirurgjikale është e lidhur me një numër më të madh vdekjesh, krahasuar me mpikjen e gjakut që verifikohet pas operacioneve, sipas një studimi të publikuar në "Anesthesia & Analgesia". "Dëshironim të bënim një krahasim të drejtpërdrejtë të këtyre dy situatave në një popullsi të madhe kirurgjikale dhe të vëzhgonim një prirje në drejtim të vdekshmërisë. Gjakderdhja paraqiste të dhëna vërtet shumë konsistente për vdekshmërinë çdo vit, ndërsa nuk kemi parë të njëjtin sinjal për mpiksjet e gjakut", konfirmon autori Robert Freundlich (Universiteti i Vanderbiltit).
Kërkuesit kanë përdorur thuajse 15 vjet të dhëna që kishin të bënin me miliona pacientë të bazës së të dhënave të National Surgical Quality Improvement Program (në Kolegjin Amerikan të Kirurgëve) dhe disa teknika informatike të përparuara, për të përballuar direkt hemorragjinë dhe mpiksjen pas ndërhyrjes kirurgjike te pacientët amerikanë. Në kuptimin e diversitetit në kohën e paraqitjes së këtyre komplikacioneve, Kolegji Amerikan i Kirurgëve gjurmon gjakderdhjen për 72 orët e para pas operacionit në bazën e të dhënave, ndërsa mpiksjet e gjakut gjurmohen deri në 30 ditë pas operacionit. Ekspertët vunë në dukje se formimi i mpiksjes është studiuar intensivisht gjatë viteve të fundit, me disa rekomandime në zhvillim se si të trajtohen dhe parandalohen më mirë mpiksjet pas operacionit. "Ne mendojmë se studiuesit po bëjnë një punë të shkëlqyer në trajtimin e mpiksjeve post operatore, por gjakderdhja mbetet një komplikacion shumë shqetësues", shpjegojnë ata.
Sipas autorëve, trajtimet që mund të përmirësojnë situatën, varen nga shkaku i gjakderdhjes, por mund të përfshijnë rieksplorimin ose rishikimin e ndërhyrjes kirurgjikale fillestare, ose administrimin e terapive farmakologjike të synuara, me qëllim parandalimin e hemorragjisë menjëherë pas ndërhyrjes kirurgjike. "Gjëja më e rëndësishme është një skuadër mjekësh ekspertë, që e dinë kur duhet të jenë shumë agresivë në trajtimin e këtyre komplikacioneve post operatore, në veçanti nëse flasim për gjakderdhje", përfundon Freundlich.
Anesthesia & Analgesia 2020. Doi: 10.1213/ANE.0000000000004989