tet202020
Indeksi matematik që mund të dallojë mikrobiomën "e shëndetshme" nga ajo "e sëmurë". Ja, se si...
Studiuesit e klinikës "Mayo" prezantuan, në një studim të botuar në "Nature Communications", një indeks të shëndetit të mikrobiomës intestinale, i cili bëri të mundur diferencimin e një mikrobiome të shëndetshme nga ajo e sëmurë. "Indeksi ynë, i përbërë nga një formulë matematikore e interpretueshme biologjikisht, mund të nxjerrë profilin e mikrobiomës intestinale nga mostra e feçeve të një personi, për të zbuluar gjasat e zhvillimit të sëmundjeve", shpjegon Jaeyun Sung, nga Klinika "Mayo" në Roçester, bashkautor i studimit.
Ndërsa studimet e fundit i lidhin ndryshimet e mikrobiomës intestinale me sëmundjet kryesore kronike, mungesa e testeve ose e bioshënjuesve të bazuara në algoritme, e bën të vështirë përdorimin e këtyre nocioneve për të zbuluar shenjat e hershme të sëmundjes. Për të hetuar çështjen, studiuesit analizuan 4,347 metagjenoma të feçeve njerëzore, rreth 1,700 prej të cilave vinin nga njerëz të pashëndetshëm, me një sëmundje të diagnostikuar klinikisht ose indeks anormal të masës trupore dhe gati 2,600, nga njerëz të raportuar si të shëndetshëm, pa ndonjë sëmundje të dukshme ose simptoma anësore.
Ekspertët krahasuan frekuencat e mikrobeve në grupin e të sëmurëve dhe të shëndetshmëve dhe zbuluan se kishte dallime në praninë e disa mikroorganizmave. Në këtë mënyrë, ata identifikuan një mikrobiomë që mund të përkufizohet si një standard i zorrës së shëndetshme njerëzore, i përbërë nga 50 specie mikrobike. Shkencëtarët nuk u ndalën me kaq, por zhvilluan një formulë matematikore që është në gjendje të parashikojë se sa një mostër e mikrobiomës intestinale i ngjan asaj që përkufizon një kusht të gjendjes së shëndetshme ose jo dhe krijuan një raport mes specieve të shpeshta kur mikrobioma është e shëndetshme dhe e atyre që janë të bollshme, kur nuk është. Sa më i lartë të jetë numri i këtij treguesi të shëndetit të mikrobiomës intestinale, aq më shumë ka të ngjarë që mostra përkatëse e mikrobiomës të jetë nga një person i shëndetshëm. Në një grup prej afro 700 vetash, mostrat nga subjektet e shëndetshme mund të dallohen nga ato nga subjektet e sëmura në 74% të herëve. Autorët gjithashtu zbuluan se sa më i lartë të jetë indeksi i shëndetit të mikrobiomës intestinale, aq më e lartë është vlera e lipoproteinave me dendësi të lartë, ose e HDL-së në gjak. "Aktualisht, ne jemi larg nga të qenit në gjendje të nxjerrim përfundime mbi mekanizmat specifikë, por kemi disa njohuri premtuese që do të donim t'i hetonim më tej", përfundojnë autorët.
Nature Communications 2020. Doi: 10.1038/s41467-020-18476-8
https://doi.org/10.1038/s41467-020-18476-8