maj282019
Roli i mikrobiomës në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare
Një rishikim i literaturës, i publikuar në "Journal of American College of Cardiology", ka nxjerrë në pah zbulime që duket se ofrojnë mundësi të shkëlqyera për zhvillimin e strategjive terapeutike me synim mikrobiomën intestinale për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare.
"Studime të hollësishme mekanike kanë mbështetur fuqimisht një rol kyç të mikrobiomës intestinale në proceset ndërmjetësuese ose faktorët e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare, por shumica e këtyre punëve është fokusuar në karakterizimin e përbërjes mikrobike dhe jo në ndryshimet e saj funksionale dhe pasojat e saj", shpjegon Wai Hong Wilson Tang (Klinika Kleveland në Ohajo), autori kryesor i studimit. Hipoteza e gjeneruar nga këto studime, që thoshte se bakteret specifike promovonin drejtpërdrejt proceset patofiziologjike dhe se eliminimi i tyre me antibiotikë do të çonte në më pak ngjarje të padëshirueshme, nuk ishte e saktë, sepse metabolizmi i baktereve intestinale modifikohet nga ekspozimet ushqimore që janë unike dhe të ndryshme për të gjithë individët.
Në studimet e fundit janë identifikuar mekanizma të rinj që mund të shpjegojnë pse disa metabolite të prodhuara nga bakteret e intestinit, duke nisur nga lëndët ushqyese, mund të jenë potencialisht të dobishme (të tilla si acidet yndyrore me zinxhir të shkurtër, me efekte të rregullimit të presionit), ndërsa të tjerë mund të jenë potencialisht të dëmshëm (të tilla si trimetilamina-N-oksid ose TMAO, të cilat mund të ndikojnë në metabolizmin e kolesterolit, të nxisin aterosklerozën dhe të shtojnë rrezikun e trombozës).
"Individët mund të kenë kompozime të ndryshme bakteriale të intestinit, kështu që ushqimi i njëjtë mund të ketë efekte afatshkurtra dhe afatgjata të ndryshme, nga njëri person te tjetri, duke pasur parasysh se të gjithë kanë përgjigjen e tyre fiziologjike ndaj ushqyesve dhe metabolitëve", shpjegojnë autorët e rishikimit. Ekspertët besojnë se do të jenë të nevojshme studime të ardhshme për të vërtetuar qasjet e reja terapeutike dhe se identifikimi i metabolitëve të implikuar në gjenezën e sëmundjeve kardiovaskulare të prodhuara nga bakteret e zorrëve, do të ofrojnë mundësi interesante për të përmirësuar shëndetin dhe për parandalim.
JACC 2019. Doi: 10.1016/j.jacc.2019.03.024
https://www.sciencedirect.com/science/article/pii/S0735109719339622?via%3Dihub