gus22021
Fibromialgjia mund të ketë origjinë autoimune. Studimi jep përgjigje
Një studim i botuar në "Journal of Clinical Investigation" tregon se pjesa më e madhe e kuadrit klinik të sindromës së fibromialgjisë (FMS) varet nga prania e antitrupave që shtojnë intensitetin e dhimbjes neuropatike në të gjithë trupin. Fibromialgjia prek miliona njerëz në Britaninë e Madhe dhe mund të ketë një ndikim shkatërrues në cilësinë e jetës. Ajo shkakton dhimbje në të gjithë trupin, lodhje, gjumë të çrregullt dhe shpërthime sistematike kur simptomat përkeqësohen. Këto rezultate sugjerojnë se sëmundja mund të ketë origjinë imune, në kundërshtim me mendimin e zakonshëm se origjina është nervore", shkruajnë autorët e Institutit të Psikiatrisë, Psikologjisë dhe Neuroshkencës (IoPPN) në King's College Londër, të cilët nënshkruan artikullin në bashkëpunim me Universitetin e Liverpulit dhe të Institutit Karolinska (Suedi), duke treguar se shtimi i ndjeshmërisë ndaj dhimbjes, astenia e muskujve, reduktimi i lëvizjeve dhe numri i reduktuar i fibrave nervore të lëkurës, tipike për FMS-në, shkaktohen nga antitrupat e pranishëm te pacientët me këtë sindromë.
Për të arritur në këto përfundime, studiuesit injektuan këta antitrupa te minjtë, duke vënë re rritjen e shpejtë të ndjeshmërisë ndaj presionit dhe të ftohtit, si dhe zvogëlimin e forcës së kapjes. Përkundrazi, minjtë e trajtuar me antitrupa nga njerëzit e shëndetshëm, nuk kishin simptoma, duke treguar se antitrupat nga pacientët me fibromialgji shkaktojnë ose kontribuojnë në sëmundje. "Duhet theksuar se minjtë e trajtuar me antitrupa FMS u shëruan kur ato u pastruan nga trupi pas disa javësh. Zbulimi sugjeron që terapitë e përdorura për të trajtuar sëmundjet autoimune mund të jenë gjithashtu efektive në FMS", vëren bashkautori David Andersson, duke shtuar se përcaktimi i origjinës autoimune të fibromialgjisë mund të hapë rrugën për trajtim efektiv për miliona pacientë.
Camilla Svensson, studiuese e Institutit Karolinska dhe nënshkruese e artikullit, shton: "Gjetja e antitrupave të njëjtë te njerëzit me FMS që jetojnë në dy vende të ndryshme, në Britaninë e Madhe dhe në Suedi, u jep forcë të madhe këtyre rezultateve. Hapi ynë i ardhshëm do të jetë identifikimi i strukturave me të cilat lidhen antitrupat që shkaktojnë simptoma, gjë që do të ndihmojë në vënien në zbatim jo vetëm të strategjive të reja të trajtimit, por edhe të testeve diagnostikuese të gjakut, që mungojnë plotësisht sot".
Journal of Clinical Investigation 2021. Doi: 10.1172/JCI144201
http://doi.org/10.1172/JCI144201