tet52022
Vaksina Covid-19 dhe cikli menstrual. Ja, si ndryshon kohëzgjatja
Gratë të cilat kanë marrë vaksinën Covid-19 kanë cikle menstruale pak më të gjata, por vetëm përkohësisht, sipas një studimi ndërkombëtar të publikuar në revistën BMJ.
Studiuesit analizuan 19,622 gra me një moshë mesatare rreth 30 vjeç në Evropë, SHBA dhe Kanada, të cilat regjistruan të dhënat e tyre në lidhje me karakteristikat e ciklit menstrual duke përdorur aplikacionin Natural Cycles në periudhën 1 tetor 2020-7 nëntor 2021.
Në grupin e parë morën pjesë 14,936 gra të vaksinuara me një ose më shumë doza dhe grupin tjetër 4,686 gra të pavaksinuara. Në grupin e grave të vaksinuara, autorët regjistruan të dhënat për të paktën tre cikle menstruale para vaksinimit. Për gratë e pavaksinuara, studiuesit ekzaminuan tendencën e menstruacioneve për të paktën 4 cikle. Gati dy të tretat e pjesëmarrëseve të vaksinuara kishin marrë vaksinën Pfizer/BioNTech, kurse pjesa tjetër mori vaksinat Johnson & Johnson, Moderna dhe Oxford-AstraZeneca.
Rezultatet treguan se grupi i grave të vaksinuara pati një rritje mesatare në kohëzgjatjen e ciklit menstrual prej afërsisht 0.71 ditë pas dozës së parë të vaksinës dhe 0.76 ditë pas dozës së dytë. Te gratë e vaksinuara, 6.22% e tyre kishin një rritje të distancës midis cikleve menstruale me më shumë se 8 ditë.
Megjithatë, nuk kishte rritje të konsiderueshme në kohëzgjatjen ciklit menstrual dhe, në shumicën e rasteve, rritja ka ndodhur vetëm menjëherë pas vaksinimit.
Studiuesit identifikuan gjithashtu një nëngrup prej 743 grash me cikël menstrual normal të cilat morën të dyja dozat e vaksinës brenda 28 ditëve. Në këtë nëngrup, rritja mesatare e kohëzgjatjes së ciklit menstrual gjatë periudhës para vaksinimit ishte 3.7 ditë me 13.5% të grave që e vunë re atë rritje për 8 ose më shumë ditë.
Nuk u vunë re ndryshime bazuar në llojin e vaksinës së administruar.
Studiuesit theksojnë se rezultatet e këtij studimi janë qetësuese dhe mund të përdoren për të informuar më mirë gratë se çfarë mund të presin pas vaksinimit kundër Covid-19. Edhe pse janë gjetur ndryshime në ciklin menstrual pas vaksinimit, në shumicën e rasteve ato janë të vogla dhe jetëshkurtra. Në të ardhmen e afërt, studiuesit duan të analizojnë çdo ndryshim tjetër në ndryshimet e ciklit, të tilla si hemorragjia ose dhimbjet, dhe të analizojnë mekanizmat molekularë me të cilët vaksina Covid ndërvepron me ciklin menstrual.