shk122024
Tumori i pankreasit. Një studim italian zgjon shpresat për terapi të reja
Një studim i publikuar në revistën "Cell Reports Medicine" mund të ngjallë shpresa për pacientët e prekur nga tumori i pankreasit. Ky i fundit, përgjegjës për afro 500.000 raste të reja çdo vit në botë, konfirmohet si shkaku i shtatë i vdekjeve nga kanceri, pavarësisht se, sipas incidencës, renditet në vend të 14-të. Mbijetesa për 5 vite nga momenti i diagnostikimit është më pak se 10%, i kufizuar kryesisht te pacientët, të cilët mund t'i nënshtrohen ndërhyrjes kirurgjikale, gjë që shndërrohet në një sfidë të vështirë për mjekët dhe kërkuesit.
Në këtë studim të ri, ekipi i kërkimit ka identifikuar një mekanizëm rezistence ndaj terapive të kryera për kancerin e pankreasit, duke u hapur rrugën mundësive të reja të trajtimit. Ai ka shtjelluar procesin e "bashkimit alternativ" gjatë transformimit të kodit gjenetik të ARN-së, duke zbuluar se ky fenomen kontribuon në rezistencën ndaj trajtimit. "Bashkimi alternativ", konsiston në prodhimin e transkriptimeve të ndryshme nga i njëjti gjen, sipas "kartave gjenetike" të përzgjedhura. Ky proces nxit sintezën e proteinave të ndryshme, të cilat luajnë role të ndryshme dhe shpesh shndërrohen në tumore, përfshirë edhe atë të pankreasit.
Ekipi ka identifikuar edhe një rregullues të bashkimit, të quajtur "Quaking", i cili është i pranishëm në tumore pankreatike më agresive, e cila favorizon sintezën e proteinave përgjegjëse për rezistencën kimike.
"Ne kemi zbuluar një mekanizëm të bazuar në rregullimin e transportuesve të ARN-së, i cili kontribuon në rezistencën ndaj kimioterapisë. Tashmë ekzistojnë barna me ARN, të përdorura me indikacione të tjera mjekësore, për të kundërshtuar këtë lloj rregullimi, të cilat për këtë arsye mund të zhvillohen edhe si agjentë kundër tumorit me teste ad hoc te pacientët rezistentë", shpjegojnë kërkuesit.
Aktualisht ekzistojnë barna rregullatore të bashkimit, të cilët mund të përdoren edhe për tumorin e pankreasit. Disa prej tyre, janë përdorur tashmë në terapi specifike, duke u hapur rrugën perspektivave të reja të trajtimit të një sëmundjeje, e cila deri më sot, ka shfaqur rezistencë të theksuar ndaj terapive ekzistuese.
Zbulimi i ekipit, i financuar nga Shoqata Italiane për Kërkimet mbi Kancerin, mund të përbëjë një kthesë domethënëse në luftën kundër tumorit të pankreasit, duke ngjallur shpresa të reja te pacientët e prekur nga kjo sëmundje.